Lajme
Çështja e librave | Krasniqi takon drejtorët e arsimit të PDK-së
Demokracia
18:41 | 22 Gusht 2023

Share:

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka pritur drejtorët e arsimit nëpër komuna nga radhët e PDK-së.

Kjo për të diskutuar për çështjen e librave, që Ministria e Arsimit ka marrë vendim që të blihen nga prindërit e shteti t’iu subvencionojë duke iu transferuar mjetet financiare.

Për këtë Krasniqi ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, duke thënë se po dëmton nxënësit.

”Sot, në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, kam pritur Drejtorët e Departamenteve të Arsimit nga radhët e PDK-së, nëpër komunat ku qeverisim apo bashkëqeverisim. Bashkë diskutuam dhe ngritëm shqetësimin e thellë për skandalin e fundit të Qeverisë Kurti, në lidhje me mos-furnizimin e nxënësve me tekste shkollore”.

”Paaftësia dhe shkeljet ligjore të kësaj Qeverie, për të dytin vit me radhë në arsim, vetëm dhjetë ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, po dëmtojnë shumë nxënësit dhe familjet, duke u shkaktuar vështirësi të reja, por edhe shpenzime të mëdha për familjet kosovare”.

”Pabarazia, e cila po u ofrohet si zgjidhje familjeve kosovare, ka qenë e tejkaluar që para 15 viteve nga vendimet e PDK-së, me dhënien e librave falas për çdo nxënës. Barrën e paaftësisë qeverisëse, padrejtësisht dhe me fajin e pushtetarëve, do ta vuajnë vetëm qytetarët e vendit tonë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook, të martën.

Të ngjashme