Lajme
Çështja e dinarit, nesër takimi i radhës Bislimi-Petkoviq në Bruksel
Demokracia
18:07 | 24 Prill 2024

Share:

Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje lidhur me çështjen e dinarit, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen sërish nesër në Bruksel.

Kjo është konfirmuar nga Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëkryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi.

Kadiu ka theksuar se edhe takimi i nesërm do të jetë për formën se si Serbia do t’i dërgojë mbështetjen financiare qytetarëve serb, konform ligjeve.

“Takimet e radhës do të zhvillohen nesër. Nuk është takim për rregulloren e BQK-së, e kemi përsëritur disa herë, që në Bruksel nuk trajtohet rregullorja apo përmbajtja e saj. Takimet janë për formën apo modalitetin se si Serbia do të dërgojë mbështetjen financiare drejt komunitetit serb, në mënyrë transparente e konform ligjeve”, tha Kadiu për Reporteri.net.

Ditën e djeshme, emisari evropian, Miroslav Lajçak në përmbledhjen e tij rutinë javore, foli edhe për takimin e javës së kaluar të nivelit teknik mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilin tha se ndihmoi për të ngushtuar hendekun mes palëve mbi “çështjen e dinarit”.

Për takimin e ardhshëm, Lajçak tha se pret propozime konkrete të palëve e që e çojnë përpara çështjen.

Të enjten e kaluar, ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje edhe rundi i katërt në përgjithësi mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë në shkurt.

Pas takimit, Bislimi tha se pala serbe kishte shkuar në kryqendrën europiane pa ide për trajtimin e një propozimi fillestar që e kishte sjellë në tavolinë ndërmjetësi Lajçak.

“Ky takim mund të quhet si takim i kotë, pa rezultat, dhe ndoshta si sukses i politikës penguese të palës serbe”, tha ai.

Petkoviq, ndërkaq tha se bëri gjithçka për ta gjetur një zgjidhje dhe se kishte “një propozim konstruktiv” që sipas tij, Lajçak e vlerësoi si “shumë të mirë për vazhdimin e bisedimeve”.

Të ngjashme