Lajme
Çështja e bartjes së shamisë në një shkollë në Gjakovë, Koci: Florentina Gjergjaj po kërcënohet me jetë
Demokracia
12:03 | 04 Prill 2022

Share:

Një vendim i Shkollës së Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë, për të vendosur simbole ndaluese për vendosjen e shamisë në shkollë, ka nxitur reagime duke rikthyer sërish në qendër të vëmendjes debatin për lejimin apo jo të mbajtjes së shamisë nga nxënësit.

Mirëpo për këtë vendim, tash e disa ditë pre e kërcënimeve të shumta ka qenë drejtoresha e kësaj shkolle, Florentina Gjergjaj.

Kështu ka bërë të ditur avokati Arianit Koci përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, duke treguar se pre e kërcënimeve me jetë janë edhe pjesëtarët e familjes së Gjergjajt.

“Kërcënimet me jetë ndaj drejtoreshës Florentina Gjergjaj dhe fëmijëve të saj, janë të papranueshme. Ka disa ditë që: Drejtoresha kërcënohet me jetë; Fotoja e fëmijëve qarkullon në rrjete sociale, me kërcënime direkte në stilin: “Ta dimë shtëpinë”;  Në rrjete sociale kërkohet haptazi që t’i hidhet acid në fytyrë; Për shkak të kërcënimeve serioze, të orkestruara dhe të vazhdueshme: Familja Gjergjaj ka dalë prej shtëpisë; Fëmijët nuk po shkojnë në shkollë; Po mendojnë seriozisht ta lëshojnë Kosovën”, ka shkruar Koci.

Postimi i plotë:

Kërcënimet me jetë ndaj drejtoreshës Florentina Gjergjaj dhe fëmijëve të saj, janë të papranueshme.

Ka disa ditë që:

– Drejtoresha kërcënohet me jetë;

– Fotoja e fëmijëve qarkullon në rrjete sociale, me kërcënime direkte në stilin: “Ta dijmë shtëpinë”;

– Në rrjete sociale kërkohet haptazi që t’i hidhet acid në fytyrë;

Për shkak të kërcënimeve serioze, të orkestruara dhe të vazhdueshme:

– Familja Gjergjaj ka dalë prej shtëpisë;

– Fëmijet nuk po shkojnë në shkollë;

– Po mendojnë seriozisht ta lëshojnë Kosovën.

Prandaj, nëse dikush mendon që drejtoresha ka bërë shkelje, le të inicion procedurë para organeve kompetente.

Kërcënimet brutale ndaj një familjeje, janë të patolerueshme.

Njejtë është e patolerueshme që deri tani, nuk kanë reaguar ndaj këtyre kërcënimeve as presidetja, as kryeministri, as kryetari i komunës e as kryetarët e partive politike./Demokracia.com/

Të ngjashme