Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve të zgjedhjeve lokale të cilat parashihen të mbahen këtë vit.
1 milion e 885 mijë e 448 qytetarë do të kenë të drejtë vote, në zgjedhjet e 17 tetorit.
Në mbledhjen e KQZ-së, u tha se do të jenë 90 mijë e 586 votues më shumë se në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit të mbajtura në fillim të këtij viti.
Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet lokale me 17 tetor do të jetë 41 mijë e 12 votues, ndërsa nga lista e votuesve janë larguar 18 mijë e 252 persona që konsiderohen të vdekur dhe 1 mijë e 158 qytetarë që kanë hequr dorë nga shtetësia.
Ndërsa numri i Qendrave të Votimit në të gjithë Kosovën është 883, me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime./Demokracia.com/