Lajme
“Çele guri gojën”| Albin Kurti asnjë fjalë për punësimet masive të militantëve të VV-së në KEK
Demokracia
15:39 | 06 Prill 2022

Share:

Prokuroria Themelore në Prishtinë dje tha për Demokracia.com se ka nisur hetimet për punësimin e 128 personave, kryesisht familjarë dhe militantë të Vetëvendosjes në KEK.

Deri më tash për këtë skandal të paparë në Kosovë me punësime të militantëve, kryeministri Albin Kurti nuk e ka thënë asnjë fjalë.

E vetmja nga qeveria që ka reaguar është ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo tha se i kanë parë me shqetësim deklaratat lidhur me nepotizmin dhe punësimin e militantëve të LVV-së në këtë ndërmarrje publike. Ndonëse u shpreh e painformuar mirë për këtë çështje, ajo e theksoi mundësinë që këto të jenë “akuza të pabaza” dhe “të padrejta”.

“Unë nuk kam pasur as mundësinë e as kohën që të shoh në qoftë se të njëjtat qëndrojnë apo jo megjithatë duke pasur parasysh sulmet e vazhdueshme kundrejt qeverisë tonë, kundrejt në veçanti Lëvizjes Vetëvendosje edhe mund të pritet që janë akuza të pabaza, të padrejta”, tha Haxhiu në RTK.

Avni Zogiani, ish-këshilltar i Agim Bahtirit i quajti fushatë djallëzore raportimet për punësimin masiv të militantëve të Vetëvendosjes në KEK.

E çuditshme për të është vetëm fakti se “si nuk qëlloi të punësohet një aktivist ose një njeri që ka lidhje me VV – lidhje, jo foto ne FB!”.

Në anën tjetër, deputeti i LVV-së, Haki Abazi rekomandoi të pritet që Prokuroria ta bëjë punën e saj, por tregoi se kush ka të drejtë të punësohet në këtë ndërmarrje.

“Me sa shoh Prokuroria Themelore ka filluar hetimet dhe të presim punën e saj. Mund të ketë edhe votues të VV-së dhe ata kanë të drejtë të punësohen. Më herët ka ndodhur një diferencim 20 vjeçar të cilët nuk janë pajtuar me menaxhimin të ndërmarrjeve publike”, ka thënë ai në RTK.

Ndërkaq mbrëmë është konfirmuar se pjesë e njërit komisionit në KEK për përzgjedhjen e të punësuarve është mbështetës i Albin Kurtit. Në mesin e të punësuarve ishte edhe Leotrim Shala, vëllai i inxhinierit të Termocentralit Kosova B, Yll Shala, i cili njëherësh ka qenë edhe kryetar i komisionit intervistues të punësimit.

Yll Shala e ka pranuar publikisht se është përkrahës i kryeministrit Albin Kurti, transmeton Demokracia.com.

“Ne jemi nën betim. Jam anëtarë i komisionit nuk muj me dhënë deklarata pa më autorizu KEK-u. Patriot Brahimi nuk ka qenë te ky komision ai ka qenë në tjetër komision.  Secili komision e ka pas detyrën e vet sipas rregullave. Ai ka kërkuar ndihmë, sqarime nëpërmjet rrjeteve sociale. Ia kam dhënë sqarimet.  Ai nuk ka qenë tek unë, ka qenë në komision tjetër. Unë jam një përkrahës i Albin Kurtit”, ka thënë Shala në Debat Plus të RTV Dukagjinit.

Ai në një formë e ka pranuar se edhe vëllai i tij është pranuar në KEK.

“Vllau im nuk ka qenë tek teknikët e makinerisë. Pyetni vllaun tim ai iu kallxon ma mirë. Unë jam përgjegjës për teknik të makinerisë. Aty nuk ka pasur shkelje asnjë pikë. Ato që kanë dalë në portale të ndryshme janë shpifje. Vëllau im është inxhinier i makinerisë. Unë nuk i di ato duhet me vet komisionin që e ka punësuar”, tha ai.

Në anën tjetër, drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani, ka thënë se edhe nga qeveria e tanishme ka pasur punësime të personave të afërt me pjesëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Pavarësisht se LVV-ja ka ardhur në pushtet duke u thirrur në çkapjen e shtetit, nga ato që i kemi parë në media dhe çfarë është raportuar në këtë konkurs të fundit, vërtet e kemi një çkapje, për ta bërë një kapje të re nga një parti tjetër e sapoardhur në pushtet”.

“Nuk ka arsyetim tjetër përpos asaj çfarë pamë, të gjithë ishin të afërt me një apo tjetër. Do të duhej të ketë një ndarje të qartë sepse aty kish persona të afërt që ishin të punësuar edhe me pjesëtarë të bordit por edhe me aktivist% të LVV-së”, u shpreh Demolli-Nimani.

Në këtë konkurs në të cilin u pranuan 128 persona, shumica dërmuese janë të afërm me partinë në pushtet sipas raportimeve ekskluzive të Demokracia.com.

Pas pakënaqësive të mëdha, dje dy herë brenda ditës ka reaguar KEK-u. Ky institucion ka paralajmëruar ndërmarrjen e “masave adekuate” për shkeljet e dyshuara ligjore në procesin e rekrutimit të 128 punëtorëve në konkursin e fundit të punësimit.

Në një adresim publik, KEK-u njoftoi se procedura rekrutuese për 150 pozita është duke vijuar. Edhe 17 pozita të tjera pune janë të lira, tha KEK-u në një komunikatë për media të martën në mbrëmje.

“Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se pas përfundimit të procedurave të rekrutimit sipas shpalljes publike për plotësimin e 150 pozitave të lira, ku kishin aplikuar 4668 kandidat, janë publikuar rezultatet përzgjedhjes për 128 pozita. Ndërsa për 17 pozita ende të pa plotësuara vazhdon procedura e rekrutimit si dhe për 5 pozita për të cilat nuk kemi pasur kandidat të suksesshëm, do të rishpallen në një të ardhme të afërt”, ka thënë KEK-u.

KEK-u tha se “do të merren masa adekuate konform ligjit, kudo që do të ketë pasur shkelje në proces”.

“Lidhur me këtë, KEK inkurajon çdo aplikues që konsideron se i janë shkelur të drejtat e garantuara me dispozita ligjore, të parashtroj ankesë brenda afatit ligjor në komisionin e ankesave”, u tha tutje në njoftim.

Në konkurs kanë aplikuar 4668 persona për 150 vende. /Demokracia.com/

Dy top-skandalet e LVV-së për një javë: Punësimet familjare e partiake në KEK dhe tenderi për familjarë në Gjilan

Skandali i punësimeve në KEK, LDK dorëzon kallëzim penal në Prokurori

Pasi zbuloi emrat e familjarëve të VV-së të punësuar në KEK, e kërcënojnë me jetë djalin e dëshmorit

Të ngjashme