Lajme
Çdo vendim i Kurtit nga 27 marsi “i paligjshëm dhe antikushtetues”: LDK nis përgatitjen e kallëzimeve penale
Demokracia
13:43 | 20 Prill 2025

Share:

Situata është e pastër kushtetuese dhe ligjore, Albin Kurti është veç deputet – dhe, atë që nga 27 marsi.

Me betim e djeshëm në Kuvendin e Kosovës si deputet, tashmë i është hequr edhe çdo mëdyshje apo interpretim dredharak.

Neni 70 dhe 72 i Kushtetutës së Kosovës janë shpjegim i kulluar, bashkë me Nenin 26 të Ligjit për Qeverinë që e ka shkruar vetë Vetëvendosja.

Në dritën e kësaj, Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë vendim – pasi dorëheqjet e ish-anëtarëve të Qeverisë të zgjedhur deputetë u evidentuan si faktike në raportin e Komisionit Verifikues të Mandatave të deputetëve – që të ngrejë kallëzime penale për çdo vendim që anëtarë të Qeverisë të zgjedhur edhe deputetë, kanë marrë që nga 27 marsi.

“Nga data 27 mars qytetarë të thjesht kanë marrë vendime në ndërtesat e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe LDK do të e çojë këtë çështje fillimisht me kallëzim penale dhe pastaj do të shohim për trajtim në kushtetuese”, tha Hykmete Bajrami para gazetarëve me të kaluar raporti i Komisionit Verifikues.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës synojnë të dëshmojnë që çdo vendim i marrë nga ish-anëtarë të qeverisë në detyrë, Albin Kurti (etj.) është i pavlefshëm, nëse jo në përmbajtje: në procedurë.

  • “Çdo veprim i kryeministrit dhe ministrave të rizgjedhur deputetë, te cilët sot dhanë betimin, nga dita e certifikimit e tutje, është i kundërligjshem”.

Kështu na tha në një përgjigje me shkrim Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, pyetur rreth sfidimit të LDK-së ndaj vendimeve të marra nga Kurti dhe pjesëtarë të kabinitetit të vet qeveritar të zgjedhur deputet.

Kjo, si rezultat i Ligjit për Qeverinë i cili përcakton që ata do të duhej të dorëhiqeshin nga pozitat qeveritare, për shkak te pëpershtatshmerisë për të qenë deputetë dhe km/ministra respektivisht, në të njëjtën kohë”, tha ajo për Nacionale.

“Meqe dje u konfirmua, me betim, qe synimi i tyre ka qenë te jenë deputetë, i bie që çdo veprim qeveritar i ndermarrë nga data e certifikimit e tutje, ka qenë i paautorizuar”.

Rrjedhimisht, siguron ajo, LDK do t’i identifikojë dhe adresojë vendimet e marra nga ata ish-anëtarë të kabinitetit të qeverisë – dhe t’i sfidojë ligjërisht.

Prandaj, LDK do t’i pregadisë të gjitha kallëzimet penale të nevojshme dhe t’i dorezojë në prokurori, për kundërligjshmerinë e veprimeve të paautorizuara të ish kryeministrit dhe ministrave te cilët në cilesinë e deputetëve të certifikuar, kanë ndërmarrë veprime ekzekutive në kundershtim me ligjin”.

“Sapo t’i kemi kallezimet penale gati, për secilin rast nga kryeministri e deri te ministri i fundit që janë certifikuar e betuar si deputetë, do t’i dorezojmë në organet përkatese”, përfundoi Kica-Xhelili.

Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës, po ashtu ka konstatuar qysh herët se qëndrimi i Kurtit dhe ministrave të vet të zgjedhur si deputetë ishte shkelje kushtetuese dhe ligjore.

Sipas Grudës, siç e citoi “Radio Evropa e Lirë”, nëse Albin Kurti, dhe anëtarët e tjerë qeveritarë, pas betimit si deputetë vazhdojnë punën në ekzekutiv, ata do të bënin “shkelje kushtetuese dhe vepër penale”.

Të ngjashme
Lajme • 23 Prill 2025