Lajme
Çdo përdorim i armëve bërthamore nga Putini do të rezultonte me ‘fundin e ushtrisë ruse’
Demokracia
07:38 | 03 Nëntor 2022

Share:

Çdo përdorim i armëve bërthamore nga presidenti rus Vladimir Putin në Ukrainë do të rezultonte me “fundin e ushtrisë ruse”, ka vlerësuar një ish-ambasador amerikan.

Putini është angazhuar në një luftë që nuk mund ta fitojë dhe është “gjithnjë e më i dëshpëruar”, ka thënë Kurt Volker në një intervistë me transmetuesin kombëtar lituanez LRT.

Volker, ambasadori i SHBA-së në NATO ndërmjet viteve 2008 dhe 2009 dhe një ish i dërguar i posaçëm në Ukrainë, dha një vlerësim kritik për pozicionin e Putinit mbi luftën në Ukrainë, të cilin ai tha se lideri rus “nuk ka mjetet për ta fituar”, shkruan Business Insider.

Mes rimarrjes nga Ukraina të një madhësie të konsiderueshme territori në veri dhe lindje të vendit në fillim të vjeshtës, Putin bëri komente rrëqethëse që ngritën shqetësime për nisjen e mundshme të ndonjë sulmi bërthamor në Ukrainë.

Veç kësaj, derisa në shtator njoftoi mobilizimin e 300,000 rezervistëve të tjerë në ofensivë, Putin përmendi arsenalin bërthamor të modernizuar të vendit dhe shtoi se ushtria e tij do të “përdorë të gjitha mjetet në dispozicion” nëse Rusia kërcënohet.

“Ky nuk është një bllof”, shtoi ai.

Dhe i pyetur në lidhje me potencialin e Putinit për të përdorur armë bërthamore, Volker nuk iu referua deklaratës së Putinit, por tha “Ne duhet të shqetësohemi se kjo është një mundësi”.

Volker ishte gjithashtu një i dërguar special në Ukrainë midis 2017 dhe 2019, kur ish-presidenti Donald Trump ishte në detyrë.

Ndërkohë inteligjenca amerikane mësoi se liderët e lartë ushtarakë rusë së fundmi zhvilluan diskutime mbi përdorimin e një arme bërthamore taktike, siç raportoi The New York Times.

Megjithatë, inteligjenca amerikane nuk ka parë asnjë nga përgatitjet që zakonisht do të bëheshin përpara një sulmi bërthamor, thuhet në raport.

Rusia vlerësohet të ketë rreth 2000 armë bërthamore taktike mes një rezerve edhe më të madhe të armëve bërthamore më të mëdha strategjike.

Sidoqoftë, Volker mendon se përdorja e këtyre armëve nga Putini nuk është “skenari më i mundshëm”.

“Unë mendoj se nuk do të arrijë një objektiv ushtarak”, shtoi ai. “Ju nuk mund të pushtoni dhe mbani territorin nëse e bëni atë radioaktiv. Kjo do të dëmtonte gjithashtu forcat e tij, ato nuk janë të përgatitura”.

“Ata gjithashtu e dinë se do të kishte një përgjigje shkatërruese ushtarake kundër forcave ruse nëse do ta bënin këtë”, tha ai.

Ndryshe, këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, paralajmëroi në shtator se Rusia do të vuante “pasoja katastrofike”, nëse do të merrte një hap të tillë.

Të ngjashme