Lajme
Çarja mes Kurtit dhe KFOR-it vazhdon, këta të fundit e përgënjeshtrojnë sërish për “vlerësimin e sigurisë”
Demokracia
15:14 | 05 Gusht 2023

Share:

Misionit Paqeruajtës i NATO-s në Kosovës, KFOR-i, haptazi e përgënjeshtroi sërish Qeverinë e Kosovës rreth deklarimeve të njëpasnjëshme se ka pasur “vlerësim të përbashkët të situatës së sigurisë” në veri, që fillimisht u kumtua nga Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, Zëvendës Kryeministri Besnik Bislimi, e më pas edhe kryeministri Albin Kurti.

KFOR-i u shpreh se e mirëpret reduktimin e njësive speciale gjysmë-për-gjysmë nga zonat në-dhe-rreth ndërtesave komunale, por se vlerësimi është bërë nga reaguesit e parë dhe të dytë të sigurisë atje, përkatësisht Policia e Kosovës dhe EULEX-i, por jo edhe KFOR-it.

“Sa për t’u qartësuar, vlerësimet e fundit për situatën e sigurisë në-dhe-rreth komunave u bë nga KP dhe EULEX pa miratim të KFOR-it”, shkroi dje përmes një cicërime misioni paqeruajtës i NATO-s.

Policia e Kosovës doli e para për të treguar se kanë pasur takim koordinues Polici, EULEX, KFOR-i, për t’u pasuar nga Sveçla, i cili tha se “Policia e Kosovës ka pasur takim me EULEX-in dhe KFOR-it, siç parashihet në pikën 2 të marrëveshjes së Bratisllavës”:

Sveçla flet edhe në emër të KFOR-it kur shkruan se “konkluzionet e përbashkëta nga vlerësimet e sigurisë (KP, EULEX, KFOR) ishin se situata është e qetë” dhe se rrjedhimisht edhe i reduktimi i mëtejmë me një tjetër 25%, gjithsejt 50%, të vëllimit të pranisë policore.

I dyti, që pretendoi të njëjtën, ishte Bislimi dhe mëpas edhe Kurti. Që të gjithë, megjithatë, u përgënjeshtruan nga Misioni i NATO’s.

Kurti kaherë ia kishte kundërvendosur planit tre-pikësh amerikano-evropian për shtensionim të situatës në veri një plan pesë-pikësh të tij, plan ky të cilin s’ia kishin bërë hesap ndërkombëtarët.

Njëra nga pikat e Kurtit ishte saktësisht kjo “triadë” ekipore për vlerësim të sigurisë, gjë që ndërkombëtarët s’ia merrnin për të sinqertë, ngase, siç thonin ata, veprimet në veri Kurti i kishte bërë krye-më-vete.

Çka kërkonte Kurti në atë plan për këto vlerësime sigurie? “Hapi 3: Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR-i do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë”.

Përfaqësuesi i Lartë i BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ishte i pari që ia kishte flakur tutje këtë propozim Kurtit përmes një letre publike ku i shkruante se vlerësime të tilla sigurie mund të ndodhin “vetëm pasi që deeskalimi të ketë ndodhur”.

“Sa për atë që të ketë takime të përbashkëta për vlerësime sigurie, këto mund të diskutohen vetëm pasi të ketë ndodhur deeskalimi. Sidoqoftë, kjo do të thotë se juve ju duhet të pranoni opinionin e EULEX-in dhe KFOR-it plotësisht dhe t’i trajtoni si partnerë, që do të thotë edhe të koordinoheni me ta paraprakisht”.

Ky paragraf lexohej se Kurti “nuk po i pranonte” opinionet e EULEX-it dhe KFOR-it, dhe “nuk po i trajtonte” plotësisht si partner, dhe “nuk po koordinohej paraprakisht” me ta.

Borrell vazhdonte…

“Prandaj, çfarëdo mase e sundimit të ligjit në veri të Kosovës duhet të diskutohet dhe vlerësohet individualisht me EULEX-in dhe KFOR-in. Ngjarjet e së kaluarës kanë dëshmuar se jo çdo masë e marruar nga Kosova nën ombrellën e sundimti të ligjit mund të mbështetet nga partnerët e juaj ndërkombëtarë në kontekstin e një ambienti tejet të brishtë”, kishte shkruar Borrell në letrën e tij.

KFOR’i e kishte qortuar edhe më rëndë…

“KFOR’i nuk është çadër për t’u strehuar pas veprimeve të njëanshme”.

Kështu iu pati drejtuar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, komandanti i Misionit Paqeruajtës të NATO’s në Kosovë, Gjeneral Majori italian, Angelo Michele Ristuccia duke folur për gazetën italiane “Corriere”.

Në një intervistën të tij të dytë brenda tri ditësh kohë dhe pas plagosjes së rreth 30 ushtarëve të KFOR’it (11 prej tyre italianë) në Zveçan, Ristuccia i kishte mprehur tonet. Ristuccia i pati thënë gazetës italiane “la Repubblica” diçka tejet të frikshme për nga tingëllima: Se po të mos ishte për intervenimin e KFOR-it më 29 maj, “do të ishim duke mbajtur zi për të vdekur”.

Këtu ai kishte ndërmend viktima të mundshme nga Njësitet Speciale të Kosovës dhe protestuesve sulmues barbarë.

Tashmë Ristuccia nuk do t’i kursente fjalët dhe do të lëshohej në vlerësime politike për të identifikuar kush-është-fajtor-për-çka.

Me emër të përvetshëm e shënonte Albin Kurtin, e madje edhe përtej. “Që nga 2021 vetëm hapa mbrapsht”, tha ai, derisa vlerësoi se janë bërë përpjekje të mëdha njëzet vjeçare për të arritur “rezultate të rëndësishme”.

Këtu komandanti e pranoi se nuk është punë e tij të bëjë vlerësime politike, por se në këso rastesh ku prodhohen pasoja s’ka se si të mos bëjë konstatime të tilla.

Rusticcia shprehej se “shmangëm një tragjedi”. Shpjegimi i tij ishte kësisoji se pse erdhën siç erdhën gjërat: për shkak të vendimit “të dytë të njëanshëm” të qeverisë kosovare “për të përdorur forcën pa u konsultuar me ne”.

Fjalia e tij do të zhvishej nga ato të zakonshmeve të KFOR-it.

Ai do t’u binte toneve që pasqyrojnë dritën reale të gjendjes në terren:

“Për të qenë edhe më i saktë, them se nëse sot nuk jemi këtu për të mbajtur zi për të vdekurit në mesin e popullatës serbe apo në mesin e policëve shqiptarë etnikë, kjo është për shkak se KFOR-i ndërhyri dhe arriti të rivendosë qetësinë”.

Komandanti i KFOR’it, kishte fajësuar dhe tërhequr vërejtjen të dyja palëve me një kërkesë: Merrni përgjegjësi, mos u fshini para narrativave të rremë. Ishte e padëgjuar më parë që një udhëheqës i forcës paqeruajtëse të jepte konstatime të kësaj natyre.

“Kokëfortësia e autoriteteve vendore shqiptare për të mos vepruar sipas indikacioneve të marra nga partnerët perëndimorë, indikacione që shërbejnë për të lehtësuar dialogun veçanërisht në dritën e progresit të bërë me marrëveshjet në Bruksel dhe Ohër, ka dobësuar shumë ekuilibrin”, pati thënë ai për “la Repubblica”.

Njëjtë do të shprehej edhe në intervistën e tij të fundit të dhënë mbrëmjen e së shtunës. “Veprimi i dytë i njëanshëm i qeverisë së Prishtinës ishte përdorimi i forcës pa u konsultuar me ne, duke bërë kështu të nevojshme ndërhyrjen tonë për të shmangur një tragjedi”./Nacionale

Të ngjashme