Lajme
“Caritas Kosova”| Marrëveshja e MPJD-së dhe MZHR-së ka qenë me Caritasin zviceran, që operon pa miratimin e Kishës
Demokracia
17:02 | 02 Qershor 2022

Share:

“Caritas Kosova” ka hedhur poshtë dyshimet se kanë lidhur marrëveshje me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe atë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, në vlerë prej 1.1 milion euro, dhe se nuk kanë të bëjnë asgjë me atë marrëveshje, raporton Ekonomia Online.

Nga kjo organizatë kanë thënë se janë organizata e vetme që njihet nga Kisha Katolike si organizatë humanitare dhe që ka legjitimitetin për të vepruar me këtë emër.

Alfred Pjetri, drejtor ekzekutiv i “Caritas Kosova”, ka thënë për Ekonomia Online se funksionimi i organizatave të tjera me të njëjtin emër në Kosovë është shkelje flagrante në reputacionin dhe emrin e tyre.

Pjetri ka thënë se ai keqpërdorim nuk ka të bëjë aspak me “Caritas Kosova” por me “Caritasin” zviceran.

“Të gjithë të tjerët edhe ne kemi parë përmes mediave në lidhje me marrëveshjen që është nënshkruar  ndërmjet “Caritasit” zviceran dhe Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe sigurisht duke qenë se ne jemi “Caritas Kosova”, e kemi parë të nevojshme që të bëjmë një reagim dhe ta qartësojmë opinionin e gjerë që bëhet fjalë për një organizatë të caktuar, mirëpo parashtesa Caritas sigurisht asocon më gjerë se “Caritasi” është rrjet i madh dhe ne kemi dashur t’ju bëjmë më dije se ne nuk kemi të bëjmë asgjë me atë marrëveshje, nuk jemi pjesë e asaj marrëveshje dhe nuk jemi as në dijeni të këtyre zhvillimeve”, ka thënë Pjetri për EO.

Pjetri ka ftuar organet e drejtësisë që ta hetojnë këtë organizatë, për të cilën hedh shumë dyshime.

“Këto janë çështje që ju takojnë institucioneve tjera, ka institucione të Republikës së Kosovës që do të merren më atë cështje, ne nuk është se kemi aq informata prandaj nuk mund të kemi as ndonjë mendim. Përveç reagimit në lidhje me qartësimet siç i përmendëm ne si “Caritas Kosova” kemi propozuar që shumë vite që të gjitha veprimet që kanë qenë të zyrave të ndryshme të Caritasit të integrohen në kuadër të Caritasit të Kosovës dhe këtë e kemi kërkuar dhe e kërkojmë vazhdimisht dhe presim që të ketë një mirëkuptim të tillë, sepse në një shtet duhet të operojë vetëm një Caritas që në këtë rast është Caritasi i Kosovës dhe atëherë ka një qartësi shumë të madhe për të gjithë opinionin dhe për të gjitha punët”, ka thënë në fund ai.

Të ngjashme