Lajme
Capussela falënderon Surroin dhe një botues serb për botimin e librit kundër UÇK-së
Demokracia
13:43 | 03 Prill 2023

Share:

Ish-funksionari i ICO-së, Andrea Lorenzo Capussela ka botuar përsëri një shkrim në të cilin ka denoncuar ish-liderët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Por, ai ka falenderuar për botimin e një libri kundër UÇK-së, Flaka Surroin dhe një botues serb.

Në opinionin e titulluar “Gjykimet për krime lufte në Kosovë shfaqin nevojën për përgatitje në Ukrainë” z. Capussela nuk është se shtron argumente të qëndrueshme për ndonjë gjë, çfarëdo qoftë.

Ai konsideron se Gjykata Speciale po tregon mangësi të mëdha dhe se po prokurorët e gjyqtarët mund të jenë të cenueshëm nga influenca politike.

“Ata shpëtuan Kosovën nga Millosheviqi, më pas panë partnerët e tyre të bindur (në Kosovë) duke e plaçkitur shtetin e ri.” – shkroi mes tjerash z. Capussela.

Por, ai tha se ky shkrim i publikuar në Foreign Policy ishte pasues i një libri për të cilin falenderonte Flaka Surroin – drejtuese e Grupit Koha – dhe një botues serb të quajtur JP Sluzbeni Glasnik.

“Ky artikull, në mënyrë incidentale, është pasardhës i librit tim për Kosovën, për të cilin falenderoj Tomasz Hoskinskin për redaktimin, dhe botuesin serb e kosovar që e përkthyen: SluzbeniGlasnik dhe Flaka Surroi”.

Çka tha në libër?
Libri në fjalë titullohet “Shtet-ndërtimi në Kosovë | Demokracia, korrupsioni dhe BE-ja në Ballkan”.

Aty flitet në mënyrë mjaft përçmuese dhe rënduese për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por edhe për liderët e PDK-së që po e udhëhiqnin vendin në atë kohë.

“Përshkallëzimi i dhunës që parapriu bombardimet ishte provokuar qëllimisht nga UÇK-ja, me qëlllimin për ta internacionalizuar krizën, për të marrë mbështetje ushtarake nga Perëndimi dhe për të arritur pavarësinë.” – shprehet z. Capussela në disa prej faqeve të librit.

Më pas, ai do të shkruante edhe këto fjalë duke konsideruar se UÇK-ja ishte financuar përmes trafikimit të drogës dhe formave tjera të krimit.

“UÇK-ja u shpërbë formalisht dhe shumica e anëtarëve të saj u absorbuan nga trupat mbrojtëse civile dhe nga forcat e reja policore, por organizata e grupeve kryesisht autonome rajonale dhe persona, që kishte përbërë atë ushtri të parregullt mbeti në thelb e paprekur, nën komandën e liderëve që u futën në politikë, biznes apo krim të organizuar (UÇK-ja po ashtu e kishte financuar veten përmes trafikimit të drogës dhe formave tjera të krimit).” – shkruante mes tjerash z. Capussela.

Ish-zv. ministri i Punëve të Jashtme, z. Petrit Selimi, e ka komentuar shkrimin e fundit të z. Capussela me këto fjalë:

“Po shoh se Capussela (që ishte shkarkuar nga ICO prej Pieter Faith) shkroi sërish mbi UÇK-në pas thënë se libri i tij mbi Kosovën ishte publikuar nga Qeveria e Serbisë dhe promovuar nga zyrtari serb Marko Gjuriq. Kopjet e librit ishin shpërndarë në ambasadat serbe si propagandë.” – shkruan ai.

Nuk dihet nëse z. Selimi e ka fjalën pikërisht për librin në fjalë.

Të ngjashme