Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Oxfordit, Richard Caplan, ka thënë se nuk sheh rrezik që lufta e Putinit në Ukrainë të shpërndahet edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, konkretisht Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë. Caplan thotë se mes Ukrainës dhe Kosovës shtrihen tri shtete anëtare të NATO-s dhe për më shumë Rusia nuk është duke e fituar luftën me Ukrainën.
Capalan në një intervistë për Gazetën Express ka folur edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, duke thënë se aktualisht s’pret ndonjë zhvillim të dukshëm, derisa thekson që Washingtoni dhe Brukseli do të vazhdojnë të kërkojnë që Kosova të implementojë një asociacion të komunave serbe dhe në anën tjetër Serbisë do të t’i kërkohet njohja e pavarësisë së Kosovës.
Në këtë intervistë, ai ka folur edhe lidhur me atë nëse duhet të vendosen afate për arritjen e një marrëveshje finale Kosovë-Serbi. Ai thotë se vendosja e afateve do të kishte kuptim vetëm nëse do të përcaktohej një dënim për moszbatimin e tij, derisa teksa shtron pyetjen se cili do të mund të ishte dënimi, thekson se Perëndimi s’do të mund të imponojë një marrëveshje mes palëve. Profesori Caplan ka potencuar për Express se Brukseli dhe Washingtoni mund të arrijnë sukses vetëm të bashkuar sa i përket një marrëveshje Kosovë-Serbi, derisa ngre pyetjen nëse Kurti dhe Vuçiq janë të gatshëm të përfshihen në një proces të tillë. Caplan thotë se nuk shqetësohet që Perëndimi mund ta humbë interesin për të zgjidhur problemin Kosovë-Serbi, por që status quo-në mes të Prishtinës dhe Beogradit mund të rrëshqasë në një konflikt të ngrirë si rasti i Qipros, që vazhdon në pafundësi.