Lajme
Canaj: Në një shtet normal Devollët do të trajtoheshin si aset, Qeveria Kurti i sulmon se ka tendenca diktatoriale
Demokracia
12:32 | 22 Prill 2025

Share:

Ish-diplomati Blerim Canaj ka shkruar për sulmet e pushtetit ndaj kompanisë Devolli.

Canaj në një shkrim në Facebook, ka pyetur nëse mund të ketë edhe të tjerë që sulmohen nga pushteti.

“Që në mëngjes pin kafen e sjellur dhe përpunuar nga Devollët, në tavolinë ka ujin, sheqerin, bukën, mishin etj. Tërë tavolina është me produkte të siguruara, të prodhuara apo përpunuara nga 5 mijë punëtorët e 15 mijë bashkpuntorët e Devollëve. Pra rreth 20 mijë familje kosovare sigurojnë ekzistencën – dhe jo vetëm – falë Devollëve! E qeveritarët pagën e luksin e tyre (madje edhe hajnitë që i bëjnë) e kanë të garantuar nga një pjesë e madhe e parave të Devollëve si tatimpaguesit më të mëdhenj në vend, nga po këta Devollë që sigurojnë 1/3 e eksporteve të Kosovës” – ka thënë ai.

“Në një shtet normal me një qeveri normale Devollët do të trajtoheshin si aset i shtetit. Por qeveria Kurti sulmon ata” – ka shtuar Canaj.

Sipas tij, kjo mund të ndodhë edhe për shkak të qeverisë “me tendenca diktatoriale”, e cila preferon të varfërit, sepse është më e lehtë të qeveriset një popull i varfër.

“Ndoshta sepse kemi të bëjmë me një qeveri me tendenca diktatoriale, e cila preferon të varfërit dhe varfërinë sepse në përgjithësi, më e lehtë është që një diktator të qeverisë një popull të varfër. Kjo sepse kur njerëzit jetojnë në varfëri, ata varen nga ndihma shtetërore për mbijetesë (ushqim, punë, strehim), dhe kjo u jep diktatorëve një mjet të fuqishëm kontrolli: “bindja ose uria”. Në shoqëritë e varfra, niveli i ulët i arsimit dhe qasja e kufizuar në informacion e bëjnë më të lehtë manipulimin, propagandën dhe shtypjen e kundërshtimeve. Organizimi qytetar, sindikatat, shoqëria civile, mediat e lira – janë më të dobëta ose nuk ekzistojnë fare në vende të varfra. Kjo i lejon regjimeve autoritare të veprojnë pa frikë nga rezistenca e organizuar. Kur njerëzit nuk kanë mirëqenie, ata shpesh janë të gatshëm të pranojnë edhe padrejtësi për të ruajtur atë pak që kanë. Kjo krijon një kulturë të durimit të autoritarizmit. E pikërisht këto sulmohen nga ky regjim!” – ka shkruar ai.

Në fund, Canaj ka thënë:

“Pra, falë Devollëve dhe të tjerët si Devollët shumë qytetarë nuk varen domosdoshmërisht nga propaganda dhe mashtrimet e pushtetit, nuk mashtrohen me nga 20€ gjatë fushatave zgjedhore. E kjo i pengon regjimit. Sepse po sulmohet mirëqenia. Ata që punojnë dhe kontribojnë për mirëqenien e vendit dhe qytetarit ata janë thjeshtë patriotë! E patriotët zakonisht sulmohen pikërisht nga ata që janë inferiorë dhe nuk kanë elemente patriotizmi. Andaj sulmet dhe propaganda e regjimit kundër Devollëve janë sulme dhe propagandë raciste. E me siguri që Devollët nuk do të jenë të vetmit!”.

Të ngjashme