Lajme
Cameron në Kosovë, Selimi: Të punohet me Britaninë për anëtarësim në NATO
Demokracia
22:17 | 03 Janar 2024

Share:

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, e ka cilësuar si mjaftë të rëndësishme vizitën e ministrit të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, David Cameron në Kosovë.

Sipas diplomatit kosovar, ekzekutivi vizitën e ish-kryeministrit të Britanisë së Madhe duhet të shfrytëzojë në maksimum sidomos në raport me anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe dhe në NATO.

Kosova, sipas Selimit, duhet të punojë ngushtë me Britaninë e Madhe, pavarësisht lëvizjeve të pamatura të kryeministrit aktual të Kosovës, Albin Kurtit, i cili lobonte hapur që shqiptarët në Britaninë e Madhe të votonin kundërkandidatin e Cameron për zyrën e kryeministrit, Jeremy Corbyn.

Cameron, këtë të mërkurë ka nisur vizitën e tij zyrtare në Kosovë.

Ish-kryeministri britanik, është pritur nga homologia e tij, Donika Gërvalla, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Kryediplomati britanik në një vizitë një ditore në Kosovë, përveç Gërvallës, do të takojë edhe presidenten, Vjosa Osmani e kryeministrin, Albin Kurti.

“Kjo është vizita e parë që Lord David Cameron zhvillon në Ballkan pas zgjedhjes së tij si Ministër i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar. Republika e Kosovës është destinacioni i tij i vetëm nga shtetet e Evropës Juglindore që kësaj radhe viziton ai”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

Ish-kryeministri i Britanisë, David Cameron, u emërua në postin e sekretarit të Jashtëm më 13 nëntor, pasi kryeministri britanik, Rishi Sunak, riformatoi Qeverinë.

Ndonëse arsyet e vizitës së Cameron në Kosovë nuk dihen ende, kryediplomati britanik që nga emërimi i tij si përgjegjës i diplomacisë britanike ka vizituar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ukrainën e Francën.

Ndryshe kjo është vizita e parë për vitin 2024 e një diplomati perëndimor në Kosovë.

Të ngjashme