Lajme
Caktohet seancë e jashtëzakonshme për tenderët burimorë
Demokracia
12:27 | 11 Mars 2024

Share:

Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme të enjten me ftesë të opozitës për tenderët njëburimorë të dhënë nga Qeveria.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, tha të hënën para mediave se Qeveria Kurti “ka thyer çdo rekord” sa i përket tenderëve njëburimorë, ku sipas tij, deri më tani janë lëshuar mbi 350 të tillë.

“Konsiderohet një shkelje e jashtëzakonshme dhe burim i madh korrupsioni. Konsiderojmë se është një çështje që duhet të diskutohet në Kuvend dhe kemi propozuar një rezolutë dhe do t’i shohim mundësitë e një komisioni hetimor…”, ka thënë Gashi.

Për tenderët njëburimorë, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, është shprehur se këto kontrata janë burim i korrupsionit dhe e dëmtojnë buxhetin.

“Është jashtëzakonisht shumë shqetësuese. Si GP i PDK-së kemi paralajmëruar formimin e një komisioni hetimor. Numri i këtyre kontratave është jashtëzakonisht i madh”, ka shtuar ai.

Për çështjen e zgjedhjeve në komunat veriore, LDK-ja dhe PDK-ja e kanë quajtur rrugë të gabuar procesin, duke shtuar se “është krijuar precedent i dëmshëm”.

“Mënyra e shkarkimit të kryetarëve pa një marrëveshje politike e thellon edhe më tutje ndarjen ndëretnike. Është proces i dëmshëm, proces që nuk do të duhej të vinte si na ka sjellë kryeministri Kurti. Nuk mendoj se do të duhej të përfundonim në këtë situatë që kemi përfunduar”, ka shtuar Tahiri.

Ndërsa, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se partitë s’u dakorduan për një seancë të rregullt.

“U caktua vetëm një seancë e jashtëzakonshme, ajo që është bërë me kërkesë të opozitës. Fatkeqësisht nuk arritëm të dakordohemi për një seancë të rregullt…”, ka thënë Kusari-Lila, raporton koha.net.

Për çështjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, Gashi i LDK-së ka thënë se partia e tij është e gatshme.

“LDK-ja është partia më serioze në Kosovë dhe është e gatshme kurdo që të mbahen zgjedhjet”, ka thënë ai.

Kusari-Lila ka thënë se në katër komunat në veri duhet të mbahet proces i lirë zgjedhor.

“Synojmë dhe shpresojmë që të jemi të suksesshëm në të mirë të demokracisë. Që në katër komunat në veri të kemi proces të lirë. Përkatësia etnike e kryetarëve nuk do të thotë që janë apriori kundër shtetësisë. Ne nuk duam të paragjykojmë rezultatin e zgjedhjeve”, është shprehur deputetja e partisë në pushtet.

E, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se e mbështesin seancën e jashtëzakonshme.

“Nuk guxon që askush të jetë i hedhur aty ku shihet qartë se ka vendimmarrje të njëanshme arbitrara dhe korrupsion potencial. Si GP kemi kërkuar dhe t’i përfundojmë marrëveshjet ndërkombëtare…Kjo Qeveri hyri në vitin e katërt dhe ende është duke vajtuar… Ende nuk ka përgjigje për asnjë temë që e rregullon jetën. Kosova është kah zbrazet, të rinjtë dhe të rejat janë kah lypin mundësi të lëshojnë Kosovën…Çmimet kanë shkuar në hava, përderisa pagat si në sektorin publik si në privat kanë mbetur njëjtë. Jemi në vitin e katërt të qeverisjes e ende diskutojmë për dialog, ende flasim për marrëveshje ndërkombëtare”, ka thënë shefi i GP të kësaj partie, Besnik Tahiri.

Të ngjashme