Lajme
Caktohet seanca e radhës ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit
Demokracia
19:56 | 03 Shkurt 2021

Share:

Më 11 shkurt do të mbahet seanca e radhës ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, është bërë e ditur se më 11 shkurt, me fillim nga ora 11:00 do të mbahet konferencë për ecurinë e çështjes ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, shkruan Demokracia.com.

Katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, (LVV), Rexhep Selimi janë të fundit që u dërguan në Hagë.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999.

Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve. /Demokracia.com/

Të ngjashme