Lajme
Caktohet paraburgimi ndaj të dyshuarit për vrasjen e vajzës 15-vjeçare, si dhe therjen e vajzës tjetër 10-vjeçare dhe bashkëshortes
Demokracia
08:04 | 08 Maj 2025

Share:

Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarit M.G., (shtetas turk), i cili dyshohet për vrasjen me thikë të vajzës së tij 15-vjeçare, dhe therjen e vajzës tjetër 10-vjeçare si dhe bashkëshortes, shkruan Reporteri.net.

Ai dyshohet për tri vepra penale, teksa masa e paraburgimit do të zgjasë deri më 5 qershor.

“….për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprat penale: “Vrasja e rëndë”, “Vrasja e rëndë e ngelur në tentativë”, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Aty thuhet së caktimi i masës se paraburgimit është bërë pasi janë marrë parasysh veprat penale të kryera dhe rrethanat e rastit.

“Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprave penale, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohen se janë kryer veprat penale, brenda ambientit familjar, dhe duke marrë parasysh vendosmërinë e të pandehurit për të kryer veprat penale, në këtë fazë caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Po ashtu, Gjykata ka vlerësuar se paraburgimi është i domosdoshëm duke pasur parasysh se i pandehuri nuk ka vendbanim të përhershëm në Kosovë.

“Caktim i paraburgimit është i domosdoshëm për të siguruar prezencën e tij në procedurën hetimore e cila është në fazën fillestare, dhe me lënien në liri, i pandehuri mund të ipet në arrati me qëllim të shmangies nga institucionet e drejtësitë” – njofton Gjykata e Prizrenit

Rasti ka ndodhur të martën rreth orës 05:58 në rrugën “Shotë Galica”.

“Sot rreth orës 5:58 policia përmes telefonit ka marrë informartë që në rrugën “Shotë Galica” në Prizren është një person i lënduar. Në drejtim janë nisur katër patrolla, që me qëllim me neutralizu personin me thikë ne dorë dhe në vendngjarje kanë kuptuar se janë tre persona të lënduar dhe dyshohet se babai ka lënduar me thikë dy vajzat e tij, një 15 vjeçare e cila ka ndërruar jetë në vend ngjarje dhe 10 vjeçare e cila ndodhet në QKUK në gjendje të rendë”, tha Bytyqi për Reporteri.net, ndërsa theksoi se kjo familje është me shtetësi turke, por që banojnë në Prizren”, ka konfirmuar atë ditë Policia.

Prokuroria Themelore e Prizrenit pretendon se M.G. rreth 45-vjeçar me dashje ka privuar nga jeta vajzën e tij 14-vjeçare, ka plagosur me thikë vajzën tjetër 10-vjeçare dhe gruan e tij, për çka ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.

Siç ka raportuar Kallxo.com, në kërkesën e paraburgimit, Prokuroria pretendon se M.G. i kishte sulmuar vajzat e tij me thikë gjatë kohës kur ato ishin në gjumë.

“Me datë 06.05.2025 rreth orës 05:30 në Prizren, me dashje ka privuar nga jeta fëmijën, anëtaren e familjes Sh.G. të cilën e ka vajzë dhe jetonte në një shtëpi të përbashkët, duke venë në rrezik jetën edhe të personave të tjerë, në atë mënyrë që atë ditë posa e falë namazin e sabahut, hynë në dhomë ku ishin vajzat e tij, të cilat ishin ende në gjumë, merr thikën e llojit “Bajonet”, me gjatësi tehu rreth 23 centimetra me të cilën fillimisht sulmon vajzën e mitur 14-vjeçare e 11 muaj duke e goditur disa herë me thikë në pjesë të qafës (fytit) me ç’rast e njëjta ndërron jetë në vendin e ngjarjes.” – thuhet në dosjen e Prokurorisë së Prizrenit.

Të ngjashme