Për të nëntën herë radhazi, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk arritën ta konstituojnë përfundimisht institucionin ligjvënës.
Seanca e nisur më 15 prill vazhdoi të enjten pa sukses, pasi u përball me një tjetër përplasje ndërmjet partive politike rreth mënyrës së votimit për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit.
Kësaj radhe, Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve, nuk propozoi drejtpërdrejt kandidaten e saj Albulena Haxhiu për pozitën e kryeparlamentares. Në vend të kësaj, përmes kryesuesit të seancës, Avni Dehari, u tentua që zgjedhja të bëhej përmes votimit të fshehtë.
Kjo manovër u kundërshtua menjëherë nga partitë opozitare, të cilat nuk e mbështetën as votimin për krijimin e një komisioni mbikëqyrës për këtë proces, duke e bllokuar sërish procedurën.
Këtë përpjekje për ndryshim të metodës së votimit e ka komentuar Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili në Debat Plus theksoi se tentativa për të futur votim të fshehtë në këtë fazë është në kundërshtim me rregullat dhe e dëmton integritetin e procesit.
Sipas tij, ndonëse rregullorja e re e Kuvendit parasheh mundësinë e votimit të fshehtë për seanca të rregullta, kjo nuk vlen për seancën konstituive.
“E para aktgjykimi i GJK në vitin 214 nuk ka thënë që janë këto tri format që duhet të zbatohen sa i përket zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Aktgjykimi flet që në bazë të rregullores këto janë tri mënyrat se si deputet mund të votojnë. Por, çështja është, ajo rregullore ka qenë e vitit 2010, ne kemi rregullore të re, e cila prapë e parasheh mundësinë e votimi të fshehtë, por që ajo mënyrë e votimi vlen për seancat e rregullta. Jo për seancën konstituive. Dhe në fakt ajo çka ka shumë rëndësi që të bëhet një dallim, për shkak se edhe në bazë të komentarit të Kushtetutës parashihet që votimi i hapur është rregulli standard, ndërsa votimi i fshehtë është rasti përjashtimor.
Në këtë rast gjitha format tjera dhe rastet kur parashihet votim i fshehtë, parashihen me ligj. Pra me ligjin përcaktohet, presidenti zgjedhet me votim të fshehtë, në rastin e emërimin të bordeve të agjencive, të gjitha parashihen me ligj, apo me akte të tjera që votimi duhet me qenë e i fshehtë. Pra, po të kishte ligjvënësi që zgjedhjen e kryetarit të bëhej me votë të fshehtë, do ta kishte paraparë. Problemi është se kjo mënyrë e votimit u tentua të imponohet në mes të procedurës, që është jashtë çdo standardi. Dhe e cenon integritetin e Kuvendit”, ka thënë Cakolli në Debat Plus.