Eugen Cakolli, menaxher i programit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka deklaruar se ndërhyrja e cilitdo aktor për të zbutur tensionet politike është e mirëseardhur, por nga aspekti kushtetues, presidentja nuk ka mandat për të gjetur apo imponuar zgjidhje në krizën aktuale.
“Përfshirja e cilitdo aktor që mund t’i zbusë gjakrat është i mirëseardhur, por në kuptimin praktik presidentja s’ka asnjë lloj mandati kushtetues për të gjetur dhe imponuar zgjidhje”, theksoi Cakolli në emisionin “Tempus” në KTV.
Ai shtoi se maksimumi që mund të bëjë presidentja është referimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese, në kuadër të përgjegjësisë së saj si garantuese e funksionimit kushtetues të institucioneve.
Megjithatë, sipas tij, një lëndë e tillë rrezikon të mos zgjidhet brenda javës dhe mund të zgjasë deri në gjashtë muaj, duke i shkaktuar Kosovës humbje të konsiderueshme kohe.
“Vetë hezitimet që i kemi parë te deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, që presidentja nuk mund të na imponojë zgjidhje, tregojnë një lloj frike se propozimi i një zgjidhjeje mund t’i vendosë ata në një pozicion të pafavorshëm politik” shtoi Cakolli.