Lajme
Cakolli: Llogaridhënia nuk është monolog kundër pushtetit, por standard për të gjithë
Demokracia
15:27 | 30 Maj 2025

Share:

Eugen Cakolli, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës ka thënë se kur llogaridhënia trajtohet si monolog kundër pushtetit, e jo si standard ndaj kujtdo që mban mandat publik, nuk po mbrohet demokracia, por komoditeti politik.

Cakolli përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se si shoqëri civile, nuk janë për të dekoruar retorikën e askujt.

“Ne flasim kur shteti ngec dhe kur përfaqësuesit politikë – pozitë apo opozitë – nuk ushtrojnë funksionet e tyre. Mbi të gjitha, është e padrejtë të thuhet se kemi heshtur për katër vite, kur shpesh kemi qenë zëri i vetëm në thirrjet për transparencë, integritet dhe zgjidhje”, ka shkruar Cakolli.

Apo po ashtu ka thënë se edhe pse LVV e ka barrën kryesore në krizrën aktuale, edhe partitë tjera nuk mbesin pa përgjegjësi.

“PO, LVV e ka barrën kryesore në krizën aktuale – këtë e kemi artikuluar hapur, pa ekuivok dhe vazhdimisht! Por, JO, kjo nuk do të thotë se të tjerët kanë luksin e papërgjegjësisë. Ideja se opozita është e paprekshme nga kritika, se kriza është “monopol” i pushtetit, apo se ndarja e përgjegjësisë është padrejtësi, është kundër çdo logjike institucionale”.

Siç tha ai: “Në një realitet pa shumicë, çdo refuzim sistematik i dialogut dhe i çdo formule zgjidhjeje është pjesë e bllokadës, pavarësisht pozitës që mban”.

Nëse askush nuk ndryshon qasje, sipas tij edhe zgjedhjet e reja do të prodhojnë të njëjtën krizë.

“Me ndryshimin e vetëm, që do të shpenzojmë miliona euro për të larë linjat e kuqe apo retorikën ndaj të tjerëve. Kur Kuvendi nuk funksionon dhe shteti është në pauzë, askush që mban mandat publik nuk është pa përgjegjësi. Dhe askush nuk është i përjashtuar nga pyetja më e thjeshtë publike: çka je duke bërë për zgjidhje?”.

Të ngjashme