“Tallje me qytetarët”, e ka quajtur Eugen Cakolli nga “Demokracia në Veprim” dështimn e sërishëm të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, me Lëvizjen Vetëvendosje e cila veçse ngul këmbë në Albulena Haxhiun e cila s’ka vota, dhe në të njëjtën kohë s’arrin marrëveshje politike me partitë tjera.
Postimi i Cakollit:
Kuvendi vazhdon të tallet, jo vetëm me veten, por edhe me qytetarët.
Edhe sot, një të dielë, një tjetër seancë për pesë minuta “punë” – pa asnjë ndryshim real. Me shumicën e deputetëve që vonohen pa asnjë ndjesi urgjence, sepse nuk kanë as ngutje, as vullnet për ta zgjidhur ngërçin.
Në këtë cikël absurd, të gjithë e dinë se publiku është lodhur nga papërgjegjësia politike. Prandaj, kur të ketë vërtet vullnet për marrëveshje, ajo nuk do të ndodhë rastësisht në sallë e as papritur në ditën e seancës.
Nëse vjen marrëveshja, ajo do të paraprihet nga sinjale të qarta – deklarata të reja, ton tjetër, narrativë e ndryshuar – veçanërisht nga Lëvizja Vetëvendosje. Qoftë për formimin e institucioneve, qoftë për shkuarjen në zgjedhje.
Deri atëherë, shfaqja teatrale vazhdon. Me aktorët e njëjtë, rolet e njëjta dhe një fund të njohur. Fatkeqësisht, edhe me spektatorë që ende presin fund tjetër – nga e njëjta kastë dhe i njëjti skenar.