Lajme
Byroja për Konfiskimin e Pasurisë, Deliu: Iniciativë joserioze, e pamatur dhe e vobektë
Demokracia
12:48 | 07 Korrik 2022

Share:

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet në lexim të parë Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ka thënë se kjo nismë e partisë në pushtet është jo serioze dhe e pamatur.

Në emër të GP të PDK-së, Deliu Kodra tha se Komisioni i Venecias, fatmirësisht, ia ka bërë të qartë Qeverisë Kurti, që domeni shtetëror nuk mund të shndërrohet në domen partiak.

“Kur këta sa ishin në opozitë i mësuan përmendsh dy fjalë: konfiskim i pasurisë, dhe duke qenë në opozitë gjatë, patën kohë të mjaftueshme me propagandu rreth tyre, aq sa duke propaganduar dikur filluan edhe vete me besu në atë propagandë, deri sa erdhën në pushtet, e tash që janë në pushtet menduan që e kanë shpikë ujët e nxehtë, duke prezantuar diçka si ky ligj, me ç’rast morën guximin me fy inteligjencën e një populli, duke provuar ta shesin këtë gjë si diçka që i kontirbuon sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar, a në fakt e amniston krimin e korrupsionin ndërsa e ushtron pushtetin politik mbi qytetarët e lirë të këtij vendi”, tha ajo.

Deputetja Deliu Kodra shtoi se PDK e mirëpret çdo hap në drejtim të forcimit të shtetit ligjor, paralelisht me ndëshkimin e atyre që merren e janë marrë me korrupsion e krim dhe që kanë përfituar jashtëligjshëm, por kritikoi qeverinë për mënyrën e hartimit të projektligjit në fjalë që bie në kundërshtim me kushtetutën.

“Po e përsëris, jemi për përgjegjësi e llogaridhënie të gjithsecilit që ka përfituar jashtëligjshëm, sepse ky është vullneti i qytetarëve dhe unë këtë vullnet e kuptoj dhe i besoj fuqishëm. Por qeveria me këtë projektligj ka dalë përtej atij vullneti, sepse vullneti i popullit pikë së pari është shprehur në Kushtetutë, e ky projektligj, është në më shumë se 3 drejtime në kundërshtim me Kushtetutën. Tri karakteristikat themelore të këtij projektligji fund e krye mund të përmbledhen si në vijim: Në rrafshin parimor, është antidemokratik, në rrafshin ligjor, është anti-kushtetues dhe në rrafshin strukturor, është antiligjor.”, tha ajo.

PDK kërkon që të sillet një projektligj të drejtë e të bazuar në Kushtetutë për konfiskim civil, sepse me propozimin aktual kjo parti konsideron se po themelohet një Byro Politike ku përzgjedhen militantët politikë.

“Me këtë projektligj, amnistohen kriminelet dhe të korruptuarit e vërtetë ndërsa iu cenohet e drejta qytetarëve të zakonshëm, duke shkelë parimin e barazisë para ligjit. Në rastin e inicimit dhe zhvillimit të hetimeve nga Byroja, qytetari si palë është i privuar nga e drejta për tu dëgjuar, si një e drejtë themelore dhe element konstituiv i të drejtës për gjykim të drejtë.”, tha ajo.

“Deri sa shumica e vendeve demokratike, kompetencat e konfiskimit i aplikojnë vetëm pas një aktgjykimi dënues, ky projektligj anashkalon në tërësi rolin e prokurorisë dhe organeve ligj-zbatuese, të cilat janë të mveshura me përgjegjësi kushtetuese dhe kanë përvojë dhe specializime adekuate. Në vend se me ua lanë këtë punë profesionistëve të specializuar, me këtë projektligj, kjo ju lihet zyrtarëve të kësaj byroje, kualifikimet e të cilëve nuk i përcakton asnjë normë e vetme, e madje si kriter për Drejtorin e kësaj byroje nuk kërkohet as edhe provimi i Jurisprudencës. Kjo dëshmon seriozitetin e këtij projektligji dhe i deshifron motivet politike për hartimin e tij”, tha  më tej Blerta Deliu Kodra.

Të ngjashme