Lajme
“Buzëqeshjet e druajtura” – kur Daily Post shkruante për fëmijët refugjatë nga Kosova
Demokracia
14:16 | 26 Tetor 2022

Share:

Kam vetëm dy fotografi të vetes si foshnje dhe për ironi një valixhe të tërë me fotografi nga mosha shtatë vjeçe deri në adoleshencë. Babi im ka ushtruar profesionin e fotografit për më shumë se njëzet vjet dhe shpeshherë e thotë që nga djegia e shtëpisë gjatë luftës në Kosovë, më së shumti i dhimbsen fotografitë tona dhe ‘kaseta’ e dasmës me mamin.

Për këtë arsye mendoj që pas luftës së Kosovës, ai është siguruar që të dokumentojë fëmijërinë time e të motrave duke ‘ngrirë’ momentet tona përmes aparatit analog. Them analog pasi ai asnjëherë as sot e kësaj dite nuk është fans i digjitalizimit të fotografisë.

Si një person tejet nostalgjik për fëmijërinë, shpeshherë e gjej veten duke i shikuar këto fotografi. Për mua janë më tepër se një kujtim, pasi mbi të gjitha e di që prapa aparatit ka qenë gjithmonë babi.

Sidoqoftë, arsyeja që unë po shkruaj sot nuk është kjo por lidhet ngushtë me atë që ju mund të lexoni në rreshtat e mëposhtëm.

Së fundmi duke i shikuar fotografitë e fëmijërisë, rastisa në ato të shkrepura gjatë kohës sa familja ime ishte refugjate në Liverpool në vitin 1999. Atje ne qëndruam më pak se tre muaj e ndonjëherë them që kujtimet e mija në fakt nuk janë të mijat por janë përbrendësuar aq thellë nga tregimet e prindërve dhe fotografitë e shumta – sa truri i pandeh si të vetat.

Për dallim nga ajo periudhë unë e mbaj mend pothuajse sikur të kishte ndodhur dje, një moment tjetër. Bëhet fjalë për ditën kur u larguam nga Kosova. Atë ditë e mbaj mend qartë pasi isha duke luajtur me litar së bashku me fëmijët e lagjes kur prindërit më morën pa dëshirën time në veturë. Më shumë se për luftën të cilën nuk e kuptoja, isha e mërzitur që po largohesha nga miqtë e mi dhe atë pa e pasur mundësinë t’i përshëndesja si duhet.

Këtë përjetim timin e gjeta të përshkruar në një artikull, 23 vjet më vonë. Gjatë kohës sa po i shikoja fotografitë gjeta një kopje gazete të 24 majit 1999, ku mund ta lexoja një intervistë të babit për Daily Post, një ditë pas mbërritjes sonë në Liverpool.

“Një nga fëmijët kishte marr me vete një litar kërcimi me të cilën po luante në momentin që ishin urdhëruar të largoheshin. Kur ky litar humbi, të gjithë qanë – përfshirë edhe Isën. Ky litar ishte një prej gjërave të pakta që ata kishin e që ua kujtonte kohën e lumtur që kishin kaluar në shtëpi. Asgjë tjetër nuk kishte mbetur”, shkruhet mes të tjerash në artikull.

Leximi i kësaj interviste seç ma dha ndjenja të fuqishme, prandaj vendosa ta përkthej në gjuhën shqipe, pasi gjykoj që shumë shqiptarë mund ta gjejnë vetën në këto pak rreshta. Artikulli u shkrua nga gazetari Larry Nield.

“MIRË SE VINI NË LIVERPOOL. JENI TË SIGURT ME NE” – 24 MAJ 1999

(Në ballinë jam unë dhe dy motrat e mija, Drilona dhe Elona dhe shkruhej “Fëmijët e Isa Gashit, nga e majta, Drilona, Elona dhe Donika që me turp buzëqeshin para kamerës”

Isa dhe gruaja e tij Mevlide, 31 vjeçe, morën në veturën e tyre të vogël fëmijët e tyre Donikën 7 vjeçe, Drilonën 5 dhe Elonën 4 vjeçe dhe vetëm vozitën.

Në atë kohë studio fotografike e Isës dhe negativet ishin në flakë, së bashku me shumë shtëpi që digjeshin.

“U nisëm për në kufirin me Maqedoninë por u ndaluam. Isha i tmerruar pasi frikësohesha se çfarë mund të na ndodhte dhe mendoja ‘Zot, na ndihmo’. Kisha frikë për jetët tona.”

Ai nuk mund ta mbledh vetën që të shpjegoj frikën që ka ndier gjatë largimit nga ferri i vërtetë. Sytë iu mbushen me lot dhe Isa hesht. Por fytyra e tij i thotë të gjitha – ai dhe familja e tij janë me fat që janë gjallë.

“Nuk mund ta shpjegoj se sa e vështirë ka qenë”, shprehet mes lotëve ai.

Lotët i vazhdojnë t’i rrjedhin kur Isa e mendon nënën e tij që po lufton për mbijetesë në njërin prej kampeve të refugjatëve në kryeqytetin maqedonas, Shkup.

“Nuk e kam idenë ku është ajo dhe a është e sigurt. Jemi thjeshtë të ndarë. Shpresoj ta gjej dhe ta sjellë në Liverpool”, thotë Isa.

Ai dhe Mevlidja e bënë të pamundurën që t’i mbrojnë fëmijët tyre nga tmerret e luftës por ai shprehet që ndonëse në këtë moshë të ndjeshme, ato janë thellësisht të traumatizuara për shkak të gjërave që kanë parë në emër të spastrimit etnik.

Shtëpia e Isës ishte në qytetin e Ferizajt, qytet me 130 mijë banorë – përafërsisht rreth 35 kilometra nga kryeqyteti.

Puna e tij ishte të bënte fotografi komerciale dhe portrete familjare dhe herë pas here fotografi gazetareske.

Një nga fëmijët kishte marr me vete një litar kërcimi me të cilën po luante në momentin që ishin urdhëruar të largoheshin. Kur ky litar humbi, të gjithë qanë – përfshirë edhe Isën. Ky litar ishte një prej gjërave të pakta që ata kishin e që ua kujtonte kohën e lumtur që kishin kaluar në shtëpi. Asgjë tjetër nuk kishte mbetur.

Isa nuk dëshiron të hyjë në detaje për kushtet në fshatin për refugjatë në Maqedoni, ku së bashku me familjen kanë jetuar në tenda.

“Na jepnin ushqim por gjithmonë kishim frikë që bombardimet do të fillojnë në Maqedoni”, shprehet ai duke shtuar që kosovarët janë trajtuar keq nga policët në Maqedoni.

Isa nuk e dinte që do të udhëtonin për në Meresyde, deri në momentin kur familja u mor me avion rus për të fluturuar për në Mbretërinë e Bashkuar.

Miqësor

“Isha i lumtur kur dëgjova që do vinim në Angli. Kisha dëgjuar për Beatles dhe klubin e futbollit nga Liverpool por jam mahnitur se sa të shoqërueshëm janë njerëzit e qytetit tuaj”.

Isa thotë pa asnjë dyshim që situata në Kosovë do të ishte edhe më keq, nëse nuk do të intervenonte NATO.

“Kishte vrasje dhe keqtrajtime çdo ditë dhe gjërat po përkeqësoheshin”, shprehet ai.

“Nuk i fajësoj individët serb. Përgjegjës janë autoritetet dhe Millosheviqi. Shpresoj që kur të kthehem do të mund të flasë me ish miqtë e mi serb. Jemi të gjithë njerëz”.

Në fluturimin e njëjtë për në Manchester ishte edhe vëllai i Isës, Salih Gashi 32 vjeç së bashku me gruan e tij Kadime gjithashtu 32 vjeçe dhe vajzat e tyre Enise 10 vjeç, Fitnete 9 vjeç si dhe djali i tyre Vetoni 6 vjeçar.

Duke jetuar në qendrën e pritjes në Liverpool janë një grup i përzier njerëzish nga Kosova – por të gjithë me një të përbashkët. Ata ishin të detyruar ta iknin nga shtëpitë e tyre vetëm më rrobat e trupit./Grazeta

Të ngjashme
Lajme • 05 Maj 2024
Lajme • 05 Maj 2024