Lajme
Buxheti për zgjedhjet në veri mbi 500 mijë euro, Elezi jep detaje për planin e afatet për certifikim
Demokracia
17:39 | 15 Nëntor 2022

Share:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok, dhe Zveçan.

Lajmi është konfirmuar për Ekonomia Online nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka bërë të ditur se ky institucion ka miratuar planin operacional dhe se për përgatitjen e zgjedhjeve i kanë 34 ditë në dispozicion.

“Pas shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me përgatitjet për organizimin e tyre. Në këtë drejtim, KQZ-ja ka miratuar planin operacional ku janë të parapara të gjitha aktivitetet që do të ndërmerren me qëllim të organizimit të këtyre zgjedhjeve. Aktivitetet për organizimin e këtyre zgjedhjeve i referohen afatit prej 34 ditësh që është në dispozicion të KQZ-së”, tha Elezi.

Ai më tej bëri të ditur se KQZ-ja, në mbledhjen e mbajtur të martën, ka miratuar edhe planifikimin buxhetor për të dy raundet e zgjedhjeve, i cili është në shumën e 556 mijë e 482 eurove.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar edhe planifikimin buxhetor për organizimin e këtyre zgjedhjeve, i cili është në shumën: 556 mijë e 482 euro. Ashtu siç kërkohet me ligj, me këtë buxhet planifikohen të dy raundet e zgjedhjeve. Meqenëse këto janë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe KQZ-ja nuk ka buxhet, kërkesa buxhetore do t’i dërgohet Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha Elezi.

Të ngjashme