Lajme
Buxheti i Prishtinës për këtë vit rreth 124 milionë euro
Demokracia
14:15 | 14 Shtator 2023

Share:

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka votuar buxhetin e kryeqytetit për vitin 2024.

Buxheti për këtë vit do të jetë 123 milionë, 699 mijë e 998 euro. Buxheti është rreth 20 milionë euro më i lartë se vitin e kaluar.

“Buxheti i vitit 2024, është buxhet i projekteve të mëdha kapitale, të cilat kanë qenë premtime, qysh prej ditës së parë të punës sime në Kryeqytet. Pra, do të jetë një buxhet i TRANSFORMIMIT të Kryeqytetit”, ka thënë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Rama në postim në Facebook ka thënë se janë ndarë 40 milionë e 500 mijë euro për investime kapitale.

“Kemi ndarë 40 milionë e 500 mijë euro vetëm për Investime Kapitale, ku përfshihen: ddërtimi i shkollave dhe çerdheve, Spitali i Prishtinës, ndërtimi i Tunelit ‘Agim Ramadani’, ndërtimi i Unazës Qendër, Salla e Koncerteve, Salla e madhe multifunksionale, Revitalizimi i Tullëtores, gjithashtu, në buxhetin për vitin e ardhshëm kemi ndarë para edhe për shtimin e parqeve, menaxhimin e mbeturinave, transportin publik, ndërtimin e thertores për kafshë”, ka shkruar Rama.

Ndërsa, nënkryetari i komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, ka bërë të ditur se cilat janë disa nga projektet që do të përfshihen në buxhetin e miratuar për vitin 2024, që është rreth 124 milionë euro.

1. Mbi 6 milionë euro për transportin publik, duke përfshirë blerjen e 30 autobusëve të rinj.

2. Afërsisht 5 milionë euro për menaxhimin e mbeturinave, një rritje e konsiderueshme krahasuar me vitin e kaluar.

3. Mbi 4 milionë euro për ndërtimin e nenkalimit në rrugën “Agim Ramadani”.

4. Mbi 4 milionë euro për ndërtimin e ishullit urban që lidh lagjen Arberia me Pallatin e Rinisë.

5. Mbi 7 milionë euro për vazhdimin e ndërtimit të Rrugës Jim Xhema (fazat e tjera).

6. Mbi 2 milionë euro për përfundimin e ndërtimit të Unazës Qendër, nga Rokuzina deri tek Rrethi i Lakrishtes.

7. Mbi 2 milionë euro investime në rivitalizimin e Tulltores.

8. Mbi 2 milionë euro kontribut direkt i Kryeqytetit në ndërtimin e Sallës Koncertale dhe galerisë së arteve.

9. Rreth 4 milionë euro për fillimin e ndërtimit të Arenës Multifunksionale të Sportit dhe Qendrës Olimpike në Bernicë.

10. Mbi 1 milionë euro për ndërtimin e Thertores së Kryeqytetit.

11. Rreth 5 milionë euro subvencione për kategori të ndryshme të shoqërisë, si Bujqësia, Shëndetësia, Kultura, Arsimit, dhe Sporti.

12. Rreth 4 milionë euro investime për vazhdimin e ndërtimit të Shkollave dhe Kopshteve në Prishtinë.

13. 1.5 milionë euro për fillimin e ndërtimit të Spitalit të Kryeqytetit.

14. Fillimi i ndërtimit të Bulevardit “George Bush”.

15. Investime në shumë rrugë në zona rurale.

“Kjo punë është bërë me qëllim që të përgatitet një buxhet i balancuar që adreson nevojat e qytetarëve dhe është në përputhshmëri me platformën që kemi prezantuar në vazhdimësi”, ka shkruar ai.

Të ngjashme