Qeveria e Kosovës ka miratuar dje projektbuxhetin për vitin 2024, që do të ketë vlerën 3 miliardë e 314 milionë euro. Gjatë prezantimit të tij, kryeministri Albin Kurti tha se në secilin sektor ka rritje të buxhetit krahasuar me atë të vitit të kaluar. Nga opozita kanë kritika për projektbuxhetin. Nga LDK thonë se buxhetet e kësaj qeverie janë bërë “dokumente abstrakte të padobishme”, meqë edhe pse po parashihen projekte, nuk po realizohen. Ndërkohë, nga AAK thonë se ky projektbuxhet është bërë me direktiva të partisë dhe se janë lënë anash nevojat dhe kërkesat buxhetore të komunave e shoqërisë civile.
3 miliardë e 314 milionë euro do të jetë buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2024. Nga kjo shumë, 805 milionë euro janë ndarë për pagat në sektorin publik, 370 milionë në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes, 370 milionë për arsim, 340 milionë për shëndetësi, 58 milionë euro për investime kapitale në sport dhe kulturë, ndërsa 742 milionë euro do të shkojnë për komunat.
Projektbuxheti është miratuar dje nga Qeveria e Kosovës dhe shumë shpejt pritet t’i dërgohet për votim edhe Kuvendit të Kosovës. Gjatë prezantimit të tij, kryeministri Albin Kurti tha se në secilin sektor ka rritje të buxhetit krahasuar me atë të vitit të kaluar. Por, nga opozita shprehen skeptik për këtë.
Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i ka thënë Gazetës Express se problem madhor i buxhetit është përkeqësimi i strukturës së buxhetit.
Ai ka thënë se është e pakuptimtë të thuhet se ka pasur rritje të lartë ekonomike, kur buxheti për skema sociale po rritet vazhdimisht. Hoti ka përmendur edhe rënien e investimeve kapitale.
“Problem madhor i buxhetit në këto tri vite është përkeqësimi i strukturës së buxhetit. Investimet kapitale kanë rënë në nivele shumë të ulëta, si në planifikim, ashtu edhe në realizim. E në anën tjetër, buxheti për skema sociale po rritet vazhdimisht, që është e pakuptimtë nëse thuhet se ka pasur rritje të lartë ekonomike. Rritja ekonomike duhet të zvogëlojë numrin e familjeve dhe personave në nevojë, dhe rrjedhimisht duhet të ulen shpenzimet për skema sociale”, ka deklaruar Hoti.
Projekt-buxhetin për vitin 2024, Hoti ka thënë se do ta analizojnë gjatë ditëve në vijim, derisa buxhetet e Qeverisë Kurti i quan “dokumente abstrakte të padobishme”, meqë thotë se projektet s’po realizohen.
“Pavarësisht se mund të parashihen projekte në buxhet, ato nuk po realizohen. Në tri vitet e fundit janë menaxhuar 8.63 miliardë euro, por nuk ka asnjë projekt madhor që mund të shihet dhe të shfrytëzohet nga qytetarët dhe bizneset. Nuk ka asnjë projekt madhor që së paku ka nisur të realizohet”, thotë Hoti.
Sa i përket buxhetit të komunave, Hoti thotë se problemi qëndron te shpërndarje e projekteve të ministrive nëpër komuna.
Duke përmendur shpërndarjen e projekteve gjatë tri viteve të fundit, deputeti i LDK’së aludon se është bërë në baza partiake.
“Grantet e ndara ndarë për komuna bëhen sipas formulës të ligjit të buxhetit. Problemi tek buxheti i komunave lidhet me shpërndarjen e projekteve të ministrive nëpër komuna. Përvoja në këto tri vitet të qeverisjes së koalicionit VV-Guxo nuk është e mirë. Vitin e kaluar, gjysma e projekteve të reja të futura në buxhet kanë shkuar vetëm për komuna që ‘rastësisë’ të qeverisen nga VV-Guxo.”, ka deklaruar Hoti.
Edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë vërejtje për projekt-buxhetin. Deputeti i AAK’së, Pal Lekaj, thotë se ky projekt-buxhet është bërë me direktiva të partisë.
“Në këtë Buxhet, mbizotëron më shumë strategjia e Qeverisë me direktiva të Partisë, ku janë lënë anash nevojat dhe kërkesat buxhetore të komunave, shoqërisë civile, institucioneve qendrore publike, sindikatave, njësiteve tjera buxhetore dhe propozimeve të partive opozitare”, thotë Lekaj për Express.
Lekaj ka akuzuar Qeverinë për mungesë bashkëpunimi në këtë drejtim.
“Projektligji i Buxhetit 2024 ende nuk ka ardhë në Kuvendin e Kosovës. Nëse nisemi nga ideja që buxheti duhet të jetë i të gjithëve, deri tani Qeveria Kurti nuk ka pasur frymë konsolidimi dhe bashkëpunimi në përpilimin e Buxhetit të shtetit të Kosovës”, thotë Lekaj.
Ai thotë se si deputetë do të japin propozimet e tyre, por shprehet i bindur se do të injorohen e refuzohen.
“Edhe pse Ligji i Buxhetit 2024 do të vjen në Kuvend, nuk po shpresojmë që do të kemi një konstruktivitet të pushtetit e shumicës në Kuvend përballë opozitës. Prapë amendamentet, propozimet dhe projektet në të mirë të qytetarëve që do të propozohen nga ne si Deputetë do të mbeten në sirtarët e Kuvendit, pasi do të injorohen e refuzohen!”, ka deklaruar Lekaj për Express.
Gazeta Express ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, saktësisht deputetët Ganimete Musliu dhe Mërgim Lushtaku, por asnjëri s’janë përgjigjur.
Për çfarë projektesh do të shkojnë mjetet nëpër secilin sektor?
Kryeministri Albin Kurti, gjatë prezantimit të projektbuxhetit për vitin 2024, ka treguar se për çfarë projektesh do të shkojnë mjetet.
Për sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë, buxheti i ndarë është rreth 370 milionë. Kurti tha se për vitin 2024 kanë shtuar numrin e policëve edhe për 500 të tjerë dhe numrin e ushtarëve edhe për 600 të tjerë.
“Me këtë buxhet, kujdes e rëndësi të veçantë po i japim mbrojtjes e sigurisë, prandaj për vitin 2024 kemi shtuar numrin e policëve për edhe 500 të tjerë, dhe numrin e ushtarëve edhe për 600 të tjerë. Buxheti për Ministrinë e Punëve të Brendshme për herë të parë do të tejkalojë 216 milionë euro, dhe për Ministrinë e Mbrojtjes do të jetë mbi 153 milionë euro, apo rreth 370 milionë euro për sektorin, e që i bie rreth 22% më shumë sesa viti 2023 në të cilin ndodhemi aktualisht”, deklaroi Kurti.
Po kaq para do të ndahen edhe për sektorin e arsimit. Këto para do të shkojnë për ndërtimin e çerdheve, zbatimin e reformave dhe mbështetjen e të rejave e të rinjve me bursa.
“Edhe arsimi do të ketë mbështetjen e nevojshme, për ndërtimin e çerdheve, zbatimin e reformave, dhe mbështetjen e të rejave e të rinjve me bursa. Bashkë me grantin që u ndahet komunave, mbështetja buxhetore për arsimin do të arrijë në 370 milionë euro apo rreth 20% më shumë sesa viti 2023”, ka shtuar Kurti.
Për sektorin e shëndetësisë, qeveria ka ndarë 340 milionë euro, përfshirë edhe grantin për komuna. Këto par, Kurti ka thënë se do të investohen në renovim të spitaleve dhe blerje të pajisjeve të teknologjisë së fundit.
“Shëndetësia vazhdon të jetë prioritet i yni, dhe do të vazhdojë të investohet në renovim të spitaleve e blerje të pajisjeve të teknologjisë së fundit, ashtu që më të dashurit tanë të mos kenë nevojë të udhëtojnë jashtë vendit për të kërkuar shërim. Prandaj për vitin 2024 ShSKUK-së i është shtuar buxheti për 25%, kurse për shëndetësinë si sektor në tërësi kemi ndarë mbi 340 milionë euro përfshirë edhe grantin për komunat”, ka deklaruar Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Për investime kapitale, janë ndarë 860 milionë euro, që do të shkojnë për infrasrukturë rrugore e hekurudhore, zona të reja ekonomike, disa e rrjete të ujësjellësit dhe në kapacitetet të reja energjetike.
“Do të vazhdojmë mbështetjen për investime të reja kapitale në infrastrukturë rrugore e hekurudhore, në zona të reja ekonomike, në diga e rrjete të ujësjellësit, dhe në kapacitete të reja energjetike. Për këtë kemi paraparë një buxhet prej 860 milionë euro për investime kapitale”.
Për sektorin e drejtësisë, Kurti ka thënë se është ndarë 31 përqind më shumë buxhet se këtë vit.
“Punë dhe drejtësi ka qenë sllogani ynë, andaj edhe buxhetin e kemi rritur për këtë dikaster. Krahasuar me vitin 2023, Ministrisë së Drejtësisë i kemi ndarë 31% më shumë buxhet ashtu që të zbatohen deri në fund reformat e nisura në drejtësi”, ka deklaruar kryeministri.
Për kulturën dhe sportin, janë ndarë 58 milionë për investime kapitale.
“Sivjet morëm lajmin më të mirë në dekada për sportistët tanë, se do të jemi shtet mikpritës për Lojërat Mesdhetare 2030, dhe kjo duhet të përcillet edhe me investimet përkatëse në sport e infrastrukturë për të cilat jemi zotuar. Andaj kemi rritur buxhetin si asnjëherë më parë për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke i ndarë mbi 58 milionë euro për investime kapitale vetëm për vitin 2024, e trendi njëjtë do të vazhdojë edhe për vitet pasuese, sepse duam t’i tregojmë botës se Kosova po bëhet konkurrent serioz në sport”, ka deklaruar Kurti.
Ndërkohë, vlera e parave që u është ndarë komunave është 742 milionë euro.
“Duhet të mos harrojmë që ky buxhet nuk është vetëm për Qeverinë e i Qeverisë, por edhe i komunave. Për vitin 2024 kemi ndarë 742 milionë euro për komunat e Kosovës, ku nga kjo shumë 635 milionë euro janë grant që u ipet komunave nga Qeveria, kurse 107 milionë euro të tjera janë të hyra vetanake të cilat komunat i mbledhin”, ka thënë Kurti.