Lajme
Buxheti i AUV-it u dëmtua për mbi 380 mijë euro nga therja ilegale e kafshëve
Demokracia
21:00 | 30 Tetor 2023

Share:

Therja ilegale e kafshëve apo mosraportimi i tyre ka dëmtuar buxhetin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës në vlerë mbi 380 mijë euro. Në një raport të Auditorit që e ka siguruar Koha thuhet se rreth 66 për qind e kafshëve të importuara për therje nuk kanë përfunduar në thertore, siç parasheh legjislacioni në fuqi. Raporti i Auditorit konstatoi se AUV-i që nga shkurti i këtij viti ka humbur kontrollin mbi importin e kafshëve.

Mbi 380 mijë euro llogaritet të jetë dëmtuar buxheti i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë për dy vite nga mosraportimi i therjeve të kafshëve.

Me legjislacionin në fuqi, AUV-i realizon të hyra nga 5 euro për çdo therje e sipas një raporti të Auditorit të brendshëm në këtë institucion, që e ka siguruar KOHA, është konstatuar dëm financiar i buxhetit nga mungesa e këtyre të hyrave.

“Për periudhën janar – shtator 2023 është raportuar se janë importuar gjithsej 70.178 kafshë për therje, ndërsa janë therur në mënyrë të ligjshme vetëm 23.612 krerë që do të thotë 66 për qind nuk kanë përfunduar në thertore siç e parasheh legjislacioni në fuqi. Diferenca në mes të 9 muajve të parë të vitit 2023 dhe komplet vitit paraprak 2022 për shmangie të therjeve të ligjshme të kafshëve është rritur për 17 për qind”, thuhet në raport.

Dallim në import dhe therje pati edhe vitin e kaluar. Sipas Auditorit nga 61 mijë kafshë për therje të importuara, vetëm 31 mijë figurojnë të jenë therur.

Inspektorati veterinar gjatë periudhës janar-korrik 2023 ka deponuar 59 raste në Gjykatë për kundërvajtje ndaj importuesve, të cilët nuk i kanë dërguar kafshët në thertore sipas deklarimeve të tyre në pikat kufitare.

Raporti i Auditorit konstaton po ashtu se AUV-i që nga shkurti i këtij viti ka humbur kontrollin mbi importin e kafshëve.

“Më 28 shkurt 2023, është nxjerrë një vendim për zbatimin e ligjit për sistemimin e lejeve dhe te licecave, përkatësisht është ndërprerë lëshimi i lejeve për importin e kafshëve të gjalla. Pas këtij vendimi AUV nuk lëshon leje apo licenca për importin e kafshëve të gjalla. Duke qenë se AUV-i nuk ka krijuar paraprakisht asnjë mekanizëm ligjor përmes të cilit e administron/kontrollon importin e kafshëve, që nga muaji shkurt i vitit aktual e ka humbur komplet kontrollin e importit të kafshëve”, thuhet në raport.

E nga menaxhmenti i AUV-it në një përgjigje në gjetjet e Auditorit kanë thënë se inspektorati veterinar në të gjitha rastet ka kryer procedurat konform legjislacionit.

“Vlen të ceket se përveç inspektimeve të kryera dhe inicimit të procedurave ligjore në gjykata kompetente për shkeljet ligjore, ne si inspektorat kemi njoftuar edhe Administratën Tatimore, e cila është përgjegjëse për inkasimin e taksave”

Në historinë e AUV-it nuk është raportuar të ketë pasur sukses ndonjë rast i deponuar në gjykatë ndaj importueseve të papërgjegjshëm. Gjykata ka vlerësuar se legjislacioni i aplikueshëm në këto raste është i mangët dhe se nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore për t’i sanksionuar kundërvajtësit.

Të ngjashme