Lajme
Burgu që u bë varr, rrëfimi i të mbijetuarve në masakrën e Dubravës
Demokracia
22:47 | 22 Maj 2025

Share:

26 vjet më parë, një nga krimet më të rënda ndaj shqiptarëve ndodhi prapa mureve të Burgut të Dubravës. Aty ku nuk kishte front, u krijua një fushë ekzekutimi. 118 të burgosur shqiptarë u vranë me gjakftohtësi. Qindra të tjerë u plagosën. 

Ata që mbijetuan e kujtojnë tmerrin e asaj dite. Përmes zërave të tyre, kujtesa e Dubravës nuk lejon harresën — dhe çdo maj kthehet si një thirrje që ende nuk ka marrë përgjigje.

Në majin e vitit 1999, në Dubravë nuk kishte front lufte.

Të burgosur të paarmatosur, të rrethuar me mure betoni — u shndërruan në cak të një krimi të organizuar nga shteti serb.

Në një vend ku muret s’të lejojnë të ikësh, ku secili hap numërohet, jetët e 118 të burgosurve shqiptarë do merreshin me një urdhër, me gjakftohtësi, me përgatitje

26 vjet më vonë, për të mbijetuarit, Dubrava ua kthen në kujtesë tmerrin e atëhershëm.

“Më 22 maj, neve me autoparlant gardianët na thirrën të grumbullohemi te fusha e sportit. Njoftimi i tyre ke se meqenëse s’ka kushte për të qëndruar se objektet u shkatërruan, thanë se do transferoheshim. U rreshtuam siç na urdhëruan, dy nga dy, nga këtu e krejt fushën. I morëm çantat çka kishim e u rreshtuam. Pa u grumbullu mirë, nga kjo kullë njerëz të armatosur nisën të hedhin granata dore. Në fillim tham çka ndodhi. Dikur ia nisën edhe pushkët. Psikikisht dhe emocionalisht humbëm, s’di qysh kemi lëviz, bërtitëm shumë. Në fund është një breg oborri, rrëshqita dhe rashë poshtë. Mbi trupin tim ranë 4 të vrarë. Vec binin njani mbi tjetrin”, ka thënë Demir Limaj, i mbijetuar i masakrës.

Ata që shpëtuan, duke u zvarritur u strehuan në pavijonet thuajse të shembura.

Sirenës iu lëshua zëri edhe njëherë, po kësaj radhe me paralajmërim për ata që ishin fshehur.

“Ditën e nesërme u fshehëm në godina, në shahta oborri, 4-5 vet. Një pjesë e shokëve te një objekt, kujdeseshim për të plagosurit. Në shahta hodhëm granata. Me idenë e Adi Mehmetit, Nijaziut, Dëfrimin, Nihatit, organizuam diçka që kur e mendojmë sot s’më besohet. Morëm një litar dhe e vendosëm në dy anët e objektit. Thonim se kur vijnë me na nxjerr jashtë, ne të rezistojmë. Rezistenca jonë ishte në kuptimin që ata të zbraznin automatikët, që vdekjen ta kishim më të lehtë. Grupet dilshin, na jo….”, ka shtuar Limaj.

Shokët me të cilët ndanin katër muret e burgjeve, për disa të burgosur do ktheheshin në mburoja, e më vonë, ata që nuk shpëtuan e ua dinin identitetin, ua vendosnin emrat në rroba.

I shtrirë në mesin e kufomave ishte edhe Agim Reçica i cili, sot një fragment të asaj dite e mban në trup.

“Granata e parë ra në mesin e turmës ku vdiqën shumë, Tefik Raka i ndjeri,  më tha të rri mbrapa tij. Tefik Raka ra mbi mue dhe ashtu shpëtova. Trupi i tij më shpëtoi mua. U ngrita dhe ika. Ndërkohë, Ylberi i palëvizshëm më tha, hajde ikim. Nisën gjuajtjen me automatik, më ra plumbi në krahun e djathtë”, ka thënë Reçica.

Ata që i mbijetuan Dubravës sot nuk janë më të njëjtit.

Për ata që nuk dolën të gjallë, për familjarët që sot mezi ndërrojnë hapat, 22 maji dhimbjen e mban të freskët.

“Ditën kur e morra lajmin se ma kanë vra djalin e mbaj mend mirë. Prita tri vjet se është gjallë se ashtu më thanë, e prita për të gjallë. Mas tri vjet e gjysmë erdhën ma morën gjakun dhe ndërkohë, më thirrën hajde merre në Prishtinë. E varrosa në Prizren, me pas ma afër vetes. 25 vjet po çka me bo. Kërkesa jem është mos me shkel kush në gjak të tyre”, ka thënë Gjyle Krasniqi, nëna e Januz Krasniqit, i vrarë në masakrën e Dubravës.

Kërkesë e vetme edhe sot mbetet drejtësia.

Dhe në çdo maj, mbi varret që mbajnë më shumë heshtje se emra, dikush kthehet me lule… dhe me një fjalë të pathënë.

Për t’i kujtuar të gjithëve se Dubrava nuk është vetëm e kaluar. Është një plagë ende e hapur sepse nuk ka gjetur drejtësi. Dhe çdo plagë që nuk shërohet me drejtësi — mbetet përjetë një thirrje. /Dukagjini/

Të ngjashme