Sport
Bunjaki flet para ndeshjeve të Kosovës U21 në muajin qershor, tregon synimin kryesor të “shpresave”
Demokracia
18:54 | 30 Maj 2022

Share:

Trajneri i Kombëtares U21 të Kosovës Albert Bunjaki ka folur në një konferencë për media para ndeshjeve para-kualifikuese për kampionatin evropian ku Kosova do të ballafaqohet me Andorrën, Anglinë dhe Shqipërinë.

Ai tha se bashkë me lojtarët kanë përcaktuar objektivin për të nxjerrë rezultat sa më të mirë në këto ndeshje.

“Ne kemi dalë dhe jemi grumbulluar me lojtarë dhe së bashku kemi nxjerrë dy objektiva. Cilat janë dy objektivat tona? Objektiva e parë është që të nxjerrim rezultat sa më pozitiv që të kemi tërheqje të shortit sa më të lehtë, t’i japim mundësi në aspektin sportiv lojtarëve të rinj të shkollohen të integrohen për kualifikimet e ardhshme. Pra, synimi ynë kryesor është që në kualifikimet e ardhshme të kualifikohemi. U 21-shi duhet ta ketë synim të kualifikohet. Ky është synimi ynë”, tha Bunjaki.

Bunjaki më pas komentoi edhe ftesën e herëpashershme të disa lojtarëve nga U21 në kombëtaren A dhe për këtë ai tha se është një fakt që e gëzon shumë dhe se kjo duhet të jetë motivim për lojtarët.

“Le të jetë kjo një motivim i një hapi tjetër të mundshëm në të ardhmen ngase nganjëherë është vështirë të shkosh të ushtrosh në ekipin e parë dhe pastaj të kthehesh të ushtrosh në ekipin U21 sepse kualiteti dallon shumë…Ne jemi në shërbim të kombëtares A”, tha ai.

Në konferencë bashkë me Bunjakin ishin edhe futbollistët Leard Sadriu dhe Valmir Veliu.

Sadriu komentoi vendimin e Edvin Kurtulus i cili vendosi së fundmi që të largohet nga Kosova dhe ta përfaqësojë Suedinë duke thënë se nuk ishte vendim i mirë, por përgjegjësia është individuale.

“Kurtulusin e kam pasur shumë shok, edhe e kam, por po flas për kohën që nuk është më kapiten. Ai sa ka qenë pjesë e kombëtares sonë e ka dhënë maksimumin, ka dhënë gjithçka për kombëtaren. Ky është vendim që i takon atij edhe është vendim personal, të cilin e ka marr vetë”, tha Sadriu

U21 sot kanë stërvitur nën urdhrat e Bunjakit në Kampin Nacional Hajvalia dhe të martën udhëtojnë drejt Andorrës.

Të ngjashme