Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se do t’i drejtohet nivelit qendror pas mbylljes së terminalit doganor në Merdar.
Këtë e ka paralajmëruar pas një takimi që pati të enjten me përfaqësuesit e Shoqatës së Shpediterëve Vendorë e Ndërkombëtarë.
Demokracia.com ka raportuar sot ekskluzivisht për mbylljen e këtij terminali.
“Pas vendimit nga ana e Doganës së Kosovës për mbylljen e terminalit doganor në Merdar, kam pritur në takim Shoqatën e shpediterëve vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët kanë vepruar në këtë pikë doganore. Ata ishin të shqetësuar nga ky vendim dhe shprehën mospajtimet e tyre me këtë vendim, ndërsa atyre ju sigurova që kërkesat e tyre do t’i adresoj në instancat e nivelit qendror”, ka shkruar Bulliqi.
Terminali që ka operuar deri më tani në Merdare, nuk do të jetë më funksional. Dogana e Kosovës me një njoftim befasues ka treguar se kësaj pike do t’i vendoset dryni pas dy ditësh. Demokracia.com ka siguruar njoftimin që i ka shkuar operatorëve për këtë çështje.
Shërbimet që i kanë kryer qytetarët e Kosovës në terminalin në Merdare, tash e tutje nuk do të mund t’i kryejnë më.
Dogana e Kosovës ka vendosur që ta mbyll këtë pikë dhe vendimi për këtë hyn në fuqi pas dy ditësh.
Demokracia.com ka siguruar dokumentin që e dëshmon këtë vendim të Doganës së Kosovës.
“Siç jeni në dijeni se për shkak se kushtet që kanë mundësuar vendosjen e zyrës doganore në terminalin e operuar “Diana” në Merdare pushojnë nga data 18.06.2022, Dogana e Kosovës detyrohet të pushoj veprimtarinë si zyre në këto hapësira dhe me këtë tërheq stafin dhe ndal operimin zyrtar”, thuhet në një shkresë të Doganës së Kosovës, përcjell Demokracia.com.
DOKUMENT| Dogana e mbyll terminalin në kufi me Serbinë, qindra punëtorë mbesin pa punë