Lajme
Bulliqi i akuzuar si bllokues nga Mustafa nuk e ka problem lëvizjen pa viza, ka pasaportë të Shqipërisë
Demokracia
21:25 | 23 Qershor 2022

Share:

Diskutimi mbi Integrimin në Bashkimin Evropian dhe veçmas liberalizimi i vizave janë tema që tek qytetarët mund të tingëllojnë “klishe” tanimë. Krejt kjo si pasojë e zvarritjes së proceseve.

Sot, në selinë e Bashkimit Evropian, ka përfunduar Samiti BE-Ballkani Perëndimor ku 27 krerë shtetesh dhe qeverish evropiane diskutuan me kolegët e tyre nga rajoni mbi sfidat, me të cilat përballen së bashku.

Ndërkaq, përmes këtij samiti u konfirmua edhe mbështetja e disa shteteve anëtare të BE-së rreth liberalizimit të vizave për Kosovën.

Kurse në anën tjetër skepticizmi i Holandës rreth kësaj çështje nuk kaloi pa u përmendur edhe këtë herë.

“Sa i përket Kosovës ka më shumë progres drejt liberalizimit të vizave, akoma jo, por mendoj se ata po bëjnë hapa”, tha kryeministri i Holandës, Mark Rutte sot.

Në lidhje me këtë temë, ka reaguar edhe ish-kryetari i partisë së dytë opozitare në vend, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Mustafa shkroi se ishte i mërzitur kur e kuptoi se në këtë samit presidentja e vendit, Vjosa Osmani ishte e vetmja që duhej paisur me vizë.

Sipas tij Osmani, kryeministri Kurti dhe i pari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi janë ata që kishin shpikur të pavërteta për pengimin e ratifikimit, kusht ky për liberalizimin e vizave.

Por, Bulliqi personalisht nuk e sheh si problem lëvizjen e lirë në secilin shtet, kjo pasi i njëjti është i pajisur me pasaportë të Shqipërisë

Në prillin e vitit 2020, Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje së bashku me bashkëshorten e tij, Elfeten, ishin pajisur me pasaportë të Republikës së Shqipërisë.

Mustafa preku çështjen e vitit 2016-të pasi pikërisht atëkohë BE rekomandoi liberalizimin e vizave për Ukrainën dhe Gjeorgjinë, vende këto të cilat nuk kanë kontroll të plotë të kufijve të tyre nacional dhe vuajnë nga një sundim i brishtë i ligjit.

Ani pse quhet “bllokues” nga Mustafa, kryetari i Podujevës prej dy vitesh shijon avantazhet e lëvizjes së lirë në zonën Schengen./Insajderi

Të ngjashme