Lajme
Bulliqi e merr vesh që i janë arrestuar dy qytetarë, gati 5 orë pasi raportoi Demokracia.com
Demokracia
19:27 | 26 Mars 2022

Share:

Gjatë ditës së sotme është raportuar se dy shtetas kosovarë janë arrestuar nga xhandarmëria serbe.

Demokracia.com ka raportuar ekskluzivisht se dy kosovarët janë arrestuar nga xhandarmëria serbe në kufirin Kosovë-Serbi, në pjesën e Komunës së Podujevës.

Po ashtu, Demokracia.com ka raportuar se dy të arrestuarit janë Nexhmi Mani 53 vjeç dhe Gentian Mani 21 vjeç, babë e bir. Ata janë arrestuar të premten në fshatin kufitar Perpellac të Podujevës, derisa u është konfiskuar edhe traktori me rimorkio.

Për të marrë më shumë informacione, Demokracia.com kishte tentuar të fliste edhe me kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqin, por ai nuk ka qenë i qasshëm në telefon.

E Bulliqi, që dy qytetarë të komunës së tij i janë arrestuar qysh të premten, këtë e ka marrë vesh të shtunën, gati pesë orë pas raportimit të Demokracia.com.

Ai për Gazetën Blic ka thënë se rasti, sipas informacioneve nga stacioni policor i Podujevës, ka ndodhur dje, më datën 25 mars dhe bëhet fjalë për konfiskimin e një traktori dhe mjetit përcjellës të tij.

“Sipas informatave nga stacioni policor i Podujevës, flitet për dy të arrestuar me datën 25 mars në orën 14:00. Rasti është lajmëruar nga një familjar i tyre i cili me sa duket ka qenë prezent, por ka ikur nga vendi i ngjarjes. Flitet se është konfiskuar një traktor dhe një mjet përcjellës i traktorit”, ka thënë Bulliqi.

Lidhur me rastin kanë shkruar edhe mediat serbe, të cilat raportojnë se Policia e Serbisë ka njoftuar për arrestimin e dy personave në rajonin e Kurshumlisë, inicialet e publikuara të të cilëve konfirmojnë se bëhet fjalë për Nexhmi Manin dhe Gentian Manin. /Demokracia.com/

EKSKLUZIVE| Xhandarmëria serbe arreston dy kosovarë përgjatë kufirit Kosovë-Serbi

 

Të ngjashme