Lajme
Bukoshi: Kurti, politikan i rrezikshëm – Pa NATO-n do ishte në burg duke lexuar Dostojevskin
Demokracia
19:09 | 12 Qershor 2023

Share:

Bujar Bukoshi, ish-kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil, ka dhënë një intervistë të gjatë për Gazetën Tema, ku ndër të tjera ka folur për çlirimin e Kosovës, për Qeverinë Kurti, marrëdhënien e trazuar të kryeministrit Albin Kurti dhe situatën në veri. Në fakt, Bukoshi, që me profesion është mjek, ka dhënë “diagnozat” e tij mbi temat aktuale politike, ndërsa ka qenë jashtëzakonisht i ashpër me Kurtin.

Sipas ish-politikanit veteran, Kurti duhet të shpallet “politikan i rrezikshëm”, që duhet neutralizuar, pasi në botëkuptimin e Bukoshit “dëmet për Republikën tonë do ishin të pamatshme”.

“Po flas fare pak sert, mendoj Kurti duhet identifikuar si “ politikan i rrezikshëm” për të ardhmen e vendit që duhet neutralizuar. Përndryshe, dëmet për Republikën tonë do ishin të pamatshme.” – theksoi z. Bukoshi.

Ish-bashkëpunëtori i Ibrahim Rugovës, president historik i Kosovës, thotë se ndihet i poshtëruar nga mungesa e respektit për historinë e Kosovës, e cila mungesë, sipas tij, po shfaqet nga Kurti.
“Sot, ndjehem i poshtëruar dhe shpesh më kap një ndjenjë trishtimi, kur shoh mungesën e respektit për historinë e Kosovës. Kush mendon se është ky Albin Kurti që abuzon me Kosovën duke u njehësuar me të?” – shtoi ai.

Ndërsa krejt marrëdhënien e trazuar të Kurtit me aleatët perëndimor, Bukoshi e ka cilësuar çmenduri politike.

“Me shumë shqetësim dhe përtej shqetësimit. E pabesueshme, çfarë aksidenti historik: prapakthim i Kosovës nga një çmenduri politike!” – thotë Bukoshi për gazetën Tema, që është medium nga Shqipëria.

Për dallim nga vitet 90-ta, kur klasa politike kosovare, sipas Bukoshit, e bombardoi Kosovën “me dashurinë për Perëndimin si shpëtimtar i Kosovës”, tash elita aktuale politike i është kthyer folklorizmit politik.

“Ibrahim Rugova dhe ne që vendosëm ta lidhim Kosovën me Perëndimin, kishim në anën tonë historinë e Evropës që po ndryshonte në atë kohë. Dhe Kosova u bombardua prej nesh dhe asaj klase politike me dashurinë për Perëndimin si shpëtimtar i Kosovës.

Tani po bëhet e kundërta. Po kthehen folklorizmat e shekullit 20 kur Evropa mallkohej për kufijtë shqiptarë, ndërkohë që Evropa sapo na premtoi që do na hiqte kufijtë e saj. Të shpresojmë se këto ethe tona do kalojnë. Një elitë politike ashtu siç mund ta nxjerrë një popull në dritë nga çrregullimet e brendshme, mund ta zhysë përsëri në errësirë. Shqiptarët kanë dhënë prova qoftë për mirë apo për keq.” – vlerësoi Bukoshi.

Paralajmërimet e Bukoshit…
Në intervistën e tij me gazetarin e njohur Mero Baz, Bukoshi vlerëson se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Kurti, po bën gabime kombëtare, të cilat duhet të ndalen. Sipas Bukoshit, Perëndimi ka filluar të ketë bezi nga Kosova.

“Por Qeveria nuk po bën vetëm gabime politike. Qeveria po bën gabime kombëtare. Dhe ato duhen ndalur. Nga ato gabime nuk fiton askush, por humbasim të gjithë.

Perëndimi ka filluar të ketë bezdi nga Kosova . Kosova po kthehet në një shtet që po i bën ata të reflektojnë për çfarë kanë bërë për Kosovën. Mendoni që SHBA është dyfish në hall, pasi i duhet të zhbëj gjëra që i ka bërë vet. Kjo është një tragjedi e madhe që duhet ndalur një minutë e më parë, pasi rrezik po largojmë zemërthyer të vetmit aleatë strategjikë që kemi.” – deklaroi Bukoshi.

Interpretimi i Bukoshit për situatën në veri është jashtëzakonisht pesimist. E gjithë situate e tensionuar atje, sipas ish-politikanit, është “vepër e Serbisë” e cila ende nuk është denazifikuar, ndërsa pala kosovare duhet t’i shmanget përkeqësimit të kësaj vatre tensioni.

“Por çfarë kemi bërë ne? Prej vjeshtës së kaluar, qeveria vazhdimisht po eksperimenton me tensione të panevojshme në veri. Në fillim me targat, pastaj me barrikadat, pastaj me zgjedhjet, dhe në fund me konfrontimin për të mbrojtur katër kryetarë komunash me polici. Nëse e shikon në shtrirje kaq të gjatë kohore, ngjan si një axhendë tensioni e cila përfundon gjithnjë me zbythje të Kosovës.” – tha Bukoshi.

Në vështrimin e Bukoshit, veriu i ka helmuar marrëdhëniet e Kosovës me ndërkombëtarët, sidomos me Amerikën.

“Sa herë është premtuar luftë dhe fitore ka rezultuar tërheqje dhe humbje. Kjo lodhja nga tensionet në veri, ka krijuar një helmim të raporteve me ndërkombëtarët sidomos me SHBA dhe nuk i ka sjellë asgjë të mirë Kosovës. Këto akrobacira të fundit duken si një pikë që po e derdh krejt gotën. Dhe gota nuk derdhet në fytyrën e kryeministrit por mbi trupin e Kosovës.” – sqaroi Bukoshi.

Ish-kryeministri në ekzil e komentoi edhe mundësinë që veriu të mos kontrollohet më nga Kosova.

“Fakti që trupat e KFOR e kthyen mbrapsht një zyrtar të qeverisë së Kosovës në Veri pas trazirave është një sinjal se atje në Veri tani zot shtëpie janë forcat ndërkombëtare e jo Kosova.

Kështu kalojmë nga një shtet i pavarur që mund ta kontrollonim Veriun përmes veprimeve të mençura, kalojmë në një situatë kur nuk do kemi më të drejta as ta qeverisim e as të shkojmë aty pa leje të KFOR-it. Kjo do ishte goditja më e madhe që shteti i Kosovës do merrte deri më sot.

Nuk më interesojnë sanksionet e tjera. Kaq mjafton për të kuptuar çfarë po humbasim.” – shtoi Bukoshi për situatën në veri.

Ish-lideri kosovar foli edhe për ultimatumin e ShBA-së, duke thënë se e beson “qind për qind”, pasi edhe vet kishte përjetuar situata të tilla.

“Mësova kur SHBA dërgon mesazhin diplomatik : „ëe are concerned“ (jemi të brengosur ) duhet të korigjohesh, por kur thotë „ëe are deeply concerned“ ( jemi thellësisht të brengosur ) atëherë je në alarm të kuq.” – komentoi Bukoshi./nacionale/

Të ngjashme