Lajme
Brukseli kërkon formimin urgjent të qeverisë në Kosovë, Orav: Ju mund ta çoni vendin tuaj drejt Bashkimit Evropian
Demokracia
11:12 | 28 Maj 2025

Share:

Lëvizja FOL dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike organizuan konferencën “Kosova drejt Bashkimit Evropian: Rruga drejt një zgjidhjeje”, ku u theksua nevojën për përkushtim të shtuar institucional dhe politik në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.

Aty, ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, tha se për Bashkimin Evropian është thelbësore që të ketë një partner me të cilin mund të bisedohet për hapat konkretë drejt integrimit, duke theksuar nevojën urgjente për formimin e qeverisë së re.

Ai shtoi se Kosova ka mundësi reale për t’u afruar me BE-në, por theksoi se krahasimet me vendet fqinje nuk ndihmojnë në këtë drejtim.

“Ju mund t’i bëni gjërat dhe mund ta çoni vendin tuaj drejt Bashkimit Evropian. Dhe dua të them që argumentet se një vend fqinj është duke bërë edhe më keq, nuk e afrojnë Kosovën më pranë Bashkimit Evropian. Tani, ajo që presim shumë nga Kosova është, së pari, të kemi një partner. Po, kemi një partnere – Presidenten – por na nevojitet edhe pushteti ekzekutiv. Pra, kemi nevojë për një partner me të cilin të flasim për hapat e ardhshëm, si të lëvizim më afër Bashkimit Evropian. Shpresojmë shumë që qeveria të formohet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.

Përkitazi me këtë, Orav tha se heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës ka filluar, andaj nevojitet një bashkëpunim i ngushtë me autoritetet në vend.

Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Karin Boven, mbështeti thirrjen për formimin e menjëhershëm të qeverisë, duke theksuar se pa pushtet ekzekutiv funksional, përkushtimi për integrim nuk mund të konkretizohet.

Ajo foli edhe për lajmet pozitive që solli vizita e fundit e Përfaqësueses së Lartë Kallas dhe theksoi nevojën për veprime konkrete nga Kosova.

“Ajo që është thelbësore tani është të dëshmohet përkushtim dhe të sigurohet që të formohet një qeveri e re, në mënyrë që vendosmëria për integrimin në BE të marrë formë përmes rezultateve konkrete”.

“Përfaqësuesja e Lartë Kallas, e përmendur tashmë javën e kaluar, solli lajme të mira për fillimin e heqjes graduale të masave të BE-së, ashtu siç ishte kërkuar nga të gjitha institucionet dhe partitë politike të Kosovës. Dhe si BE, tani kemi nevojë të shohim veprime që kontribuojnë më tej në përafrimin me vlerat dhe standardet evropiane”.

“Më lejoni të tërheq gjithashtu vëmendjen tek plani evropian i rritjes, i përmendur tashmë, një tjetër mundësi madhore për integrimin gradual të Kosovës në BE, një mundësi që tashmë pret veprimet konkrete të Kosovës. Kosova nuk ka kohë për të humbur. Në këtë pikë, siç e përmenda tashmë, përparësia kryesore është formimi i qeverisë dhe fillimi i menjëhershëm i punës së saj”, tha ajo.

Ambasadorja holandeze vlerësoi përparimin e bërë nga Kosova ndër vite, por theksoi se ritmi i reformave është vendimtar për suksesin e integrimit.

“Dua të shfrytëzoj këtë mundësi gjithashtu për të njohur faktin se, po, ndër vite Kosova ka bërë përparim në përafrimin e saj me vlerat dhe standardet evropiane – nga ndërtimi i institucioneve deri te avancimi i praktikave demokratike. Por ritmi i përparimit përcaktohet nga ritmi i reformave. Një shtyllë qendrore e këtyre reformave është sundimi i ligjit. Një Kosovë evropiane kërkon një sistem drejtësie që është i pavarur, efikas dhe i besuar nga të gjithë qytetarët e saj. Lufta kundër korrupsionit, transparenca dhe llogaridhënia duhet të bëhen standarde”, tha ajo.

Të ngjashme