Lajme
Broçkullat e Vuçiçit kalojnë në Bruksel, por asnjëherë në Nju Jork – thotë Vogel
Demokracia
09:22 | 23 Prill 2024

Share:

Toby Vogel, ekspert i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE) nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit (DPC), nëpërmjet një postimi në platformën “X” pas seancës së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), tha se ‘broçkullat’ e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, mund të kalojnë në Bruksel, por asnjëherë në Nju Jork.

“Shikoni se çfarë ndodh në Këshillin e Sigurimit të OKB-së kur Vuçiçi përpiqet t’i përdorë broçkullat që BE-ja e ka lënë t’i përdorë prej vitesh. Kjo mund të funksionojë në Bruksel, nuk funksionon në Nju Jork”, shkroi Vogel derisa shpërndau një sekuencë nga seanca e djeshme, ku përfaqësuesja e Maltës i tregoi presidentit serb se në OKB ekzistojnë rregulla të sjelljes.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së shqyrtoi të hënën (22 prill) raportin e ri gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për punën e misionit mbështetës të OKB-së në Kosovë (UNMIK). Në raportin që i referohet periudhës nga 19 shtatori 2023 deri më 15 mars 2024, një pjesë e madhe adreson sulmin terrorist serb në pjesën veriore të Kosovës.

Megjithatë, gjatë seancës pati përplasje verbale mes presidentit të Serbisë dhe kryesueses së Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në një moment, ambasadorja e Maltës në OKB, Vanessa Frazier, tregoi autoritetin qortues duke goditur tavolinën gjatë seancës pas sjelljes banale të presidentit serb.

Të ngjashme