Vetëvendosja e Albin Kurtit po e vazhdon avazin e emërimit të bordeve. Bordi i drejtorëve të Telekomit të Kosovës nën presionin e qeverisë e ka rekomanduar dhe emëruar Burbuqe Hanen për kryeshefe, edhe pse ajo nuk ishte e rekomanduar për kryeshefe ekzekutive.
Dje Telekomi përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se Bordi i Drejtorëve ka zgjedhur Burbuqe Hanën në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës me mandat trevjeçar, shkruan Demokracia.com.
Procesi i përzgjedhjes së Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit u bë nga bordi i drejtorëve të Telekomit të Kosovës, në bashkëpunim me kompaninë britanike BDO, e kontraktuar nga ambasada britanike në Kosovë.
Megjithatë, sipas kompanisë britanike, Burbuqe Hana nuk ka qenë e emëruar bazuar në vlerësimin e tyre.
Kreshnik Domi, është ai që kishte marrë vlerësimin më të mirë nga britanikët, të cilët janë të angazhuar në përzgjedhjen e kryeshefeve të disa ndërmarrjeve publike, përfshirë këtu edhe Telekomin e Kosovës.
Ndryshe, më 24 prill të viti 2020, Burbuqe Hana u emërua Ushtruese e Detyrës së Kryeshefes së Telekomit.
Hana në këtë pozitë e kishte zëvendësuar Bedri Istrefin, që ishte shkarkuar nga kjo pozitë nga Bordi i emëruar nga Albin Kurti, asokohe kryeministër në detyrë.
Hana qëndroi në pozitën e U.D Kryeshefes deri dje, kur Bordi e emëroi atë Kryeshefe.
Më 2016-të, Burbuqe Hana kishte qenë pjesë e protestave të Vetëvendosjes në sheshet kryesore të Prishtinës.
Madje, pjesëmarrja e Hanës faktohet edhe nga fotografitë.
Përveç kësaj, Burbuqe Hana, e cila punon që një kohë të gjatë në Telekom, e kishte paditur punëdhënësin e saj në vitin 2019.
Sipas padisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Hana kërkonte nga Telekomi kompensim prej 9,513.00 euro, në emër të diferencës në gradë.
Këtë shumë, ajo e kërkonte me pretendimin se Telekomi i Kosovës, pa të drejtë ia ka zbritur gradën dhe atë nga grada 12 në gradën 11.
Lidhur me këtë rast, në seancën e shqyrtimit kryesor, palët kanë dhënë fjalën përfundimtare. Në fjalën përfundimtare, paditësja Hana, ka deklaruar se qëndron pranë padisë dhe kërkesës së saj, duke kërkuar nga gjykata që ajo të aprovohet si e bazuar dhe të detyrohet e paditura që ta kompensojë diferencën e gradës, për periudhën 1 shkurt 2015 e deri 31 gusht 2019. Hana pati thënë se kërkesën e saj, për kompensimin e shumës prej 9,513.00 euro, e ka mbështetur në ekspertizën financiare të datës 2 shtator 2019, të punuar nga ekspertja Hidajete Sejdiu.
Lidhur me shpenzimet e procedurës, paditësja tha se nuk i kërkon. Në anën tjetër, përfaqësuesi i Telekomit të Kosovës, Halil Haliti, në fjalën e tij përfundimtare, e ka kundërshtuar në tërësi padinë e paditëses dhe ka kërkuar nga gjykata që e njëjta të refuzohet si e pabazuar. Haliti tha se paditësja me të paditurën, për periudhën kontestuese, kanë nënshkruar kontrata te reja, me të cilat është themeluar marrëdhënie e re e punës dhe ndërmjet tyre ka vazhduar edhe më tej marrëdhënia e punës. Gjithashtu, as përfaqësuesi i të paditurës nuk i ka kërkuar shpenzimet e procedurës. Paditësja i ka kundërshtuar pretendimet e përfaqësuesit të paditurës, duke thënë se nënshkrimi i kontratave të reja është bërë me presion dhe nën kërcënimin për largim nga puna. Gjykatësi i rastit, Enver Shabanaj, pas administrimit të provave dhe fjalëve përfundimtare të palëve ndërgjygjëse, ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë kontest është i përfunduar dhe palët me kohë do të njoftohen me vendimin. /Demokracia.com/