Lajme
Britanikët e mirëpresin reduktimin e policisë, duan zgjidhje urgjente politike për katër komunat në veri
Demokracia
16:36 | 04 Gusht 2023

Share:

Po vazhdon zvogëlimi i numrit të policëve të Kosovës para objekteve të komunave të veriut. Mbretëria e Bashkuara e mirëpret vlerësimin për tërheqjen e trupave policorë dhe thotë se për komunat veriore është urgjente një “zgjidhje afatgjate”.

Të premten është tërhequr edhe 25 për qind e pranisë së Policisë së Kosovës pranë tri ndërtesave komunale në veri të Kosovës. I bie që, zyrtarisht, që nga arritja e marrëveshjes për shtensionim të veriut më 10 korrik, janë tërhequr gjysma e pjesëtarëve të Policisë që ruanin ndërtesat e komunave.

Ambasada britanike në Prishtinë e mirëpret koordinimin për tërheqjen e trupave policorë, sipas dakordimit me Bashkimin Evropian.

“Mbretëria e Bashkuar mirëpret vlerësimin e parë të përbashkët të sigurisë midis Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it. Ky është një hap i rëndësishëm drejt de-eskalimit në veri të Kosovës. Megjithatë, mbetet një nevojë urgjente për të gjetur një zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna, e cila siguron përfaqësim demokratik për të gjithë qytetarët e saj”, thuhet në një përgjigje të Ambasadës dhënë Gazetës Express për situatën e fundit me veriun e vendit.

Kryeministri Kurti shkroi të premten se tërheqja e radhës e pjesëtarëve të Policisë u bë pas vlerësimit të gjendjes së sigurisë, së bashku me EULEX-in dhe me KFOR-in. Siç thotë ai, ky vendim u mor, sepse situate në veri “është e qetë” dhe siguria “është e mirë”.

“Nga sot filloi zvogëlimi edhe për 25% të tjera i pranisë së policisë së Kosovës në tri ndërtesat e komunave në veri të vendit tonë. Kjo vjen pas vlerësimit të gjendjes së sigurisë nga mbledhja që pardje mbajtën drejtues të Policisë së Kosovës me EULEX-in dhe KFOR-in. Pra, siguria është e mirë, situata është e qetë, dhe mund ta zvogëlojmë ca praninë e policisë sonë”.

“Sundimi i ligjit dhe rendi publik po mirëmbahen gjithnjë e më shumë e më mirë. Janë bërë rreth një muaj e gjysmë që nuk kemi incidente të theksuara e protesta të dhunshme. Falënderojmë policinë dhe qytetarët pa dallim për bashkëpunimin dhe korrektësinë”, ka shkruar Kurti.

Qeveria e Kosovës deklaron publikisht gatishmërinë e saj për t’u angazhuar për shtensionimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të shkallëzojë situatën në veriun e Kosovës. Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale.

Pas më shumë se një muaj rezistencë, Qeveria e Kosovës, më 10 korrik, në Bratislavë, ka pranuar propozimet e Bashkimit Evropian, të përkrahura nga SHBA-ja, për shtensionimin e situatës në veri, e cila eskaloi edhe njëherë, më 29 maj, kur kryetarët e zgjedhur shqiptarë u futën në objektet komunale të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.

Në pikat dakorduese për shtensionimin e veriut thuhej:

-Qeveria e Kosovës deklaron publikisht gatishmërinë e saj për t’u angazhuar për shtensionimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të shkallëzojë situatën në veriun e Kosovës. Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale.

-Policia e Kosovës kryen vlerësime të rregullta të sigurisë bashkë me EULEX-in, dhe me KFOR-in, sipas nevojës, për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të tërë pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale”

-Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat nveriore, pas verës. Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve.

-BE-ja do t’i ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel, për finalizimin e planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt rrugës për normalizimin e marrëdhënieve, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes.

Të ngjashme