Lajme
Britania mbështet anëtarësimin e Kosovës në KiE, kërkon përparim në çështjen e Asociacionit
Demokracia
16:52 | 20 Prill 2024

Share:

Londra zyrtare, sipas ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Serbi, Edward Ferguson, mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

Megjithatë ai ka potencuar se Britania e Madhe në të njëjtën kohë dëshiron të shoh përparim në realizimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili në vlerësimin e tij do të duhej të formohej shumë kohë më parë.

“Britania e Madhe e ka të qartë se dëshiron të shohë që Asociacioni të formohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Është e rëndësishme dhe urgjente të arrihet progres në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit”, ka thënë Ferguson në një intervistë për mediumin serb, Politika.

Ndryshe Albanian Post, ditë më parë raportoi se Qeveria e Kosovës është pajtuar në parim me komunitetin ndërkombëtar që pas përkrahjes që ka marrë me 16 prill nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, të dërgojë deri më 10 maj për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin.

Draft-statutit, që nuk është shkruar nga Kosova, por nga Bashkimi Evropian, është në plan që të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese nga Qeveria e Kosovës me propozim të Elbert Krasniqit, ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal.

Siç ka kuptuar Albanian Post nga burime ndërkombëtare, ky hap do të jetë kushti për Kosovën që më pas edhe me 16-17 maj Komiteti i Ministrave, saktësisht qeveritë e shteteve anëtare të KiE-së ta pranojnë Kosovën shtet anëtar të organizatës, apo, siç është procedura, t’i bëjnë thirrje për anëtarësim.

Të njëjtat burime thonë se Qeveria e Kosovës është pajtuar që ta bëjë këtë lëvizje në këmbim të anëtarësimit në KiE.

Pra, jo pritja e vendimit nga Gjykata Kushtetuese, por vetëm dërgimi në gjykatë nga Qeveria e Kosovës do të jetë hapi i domosdoshëm i kërkuar nga ndërkombëtarët.

Kjo është paraqitur edhe në pikat e raportit të raportueses Dora Bakoyannis ku thuhet se Kosova duhet “të marrë hapa substancial dhe të prekshëm për të zbatuar të gjithë artikujt e Marrëveshjeve në Bruksel dhe Ohër, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Ky hap “substancial” dhe “i prekshëm” do të jetë pikërisht dërgimi i draftit për shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.

Se Kosova do të ndërmarrë hapa “substancial” dhe “të prekshëm” u bë e qartë edhe në letrën e 22 marsit kur Kryeministri, Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca, i thanë raportueses Bakoyannis se do t’i zbatojnë të gjitha kërkesat që ajo i ka renditur në raport, transmeton albanianpost.

“Do të donim të shfrytëzonim këtë mundësi t’iu informojmë se ne besnikërisht do t’u qëndrojmë listës së angazhimeve/kushteve të dhëna në Apendiksin 1 të letrës tuaj të 21 marsit 2024 për bërjen e Kosovës shtet anëtar në Këshillin e Evropës”.

Të ngjashme