Lajme
Bota reagon ndaj debatit midis Trumpit dhe Bidenit
Demokracia
19:35 | 28 Qershor 2024

Share:

Politikanë, analistë e investitorë në Amerikë po përgatiten për një rikthim të mundshëm të Donald Trump në krye të shtetit.

Udhëheqja e fuqisë ekonomike më të madhe në botë mund të ketë implikime edhe nga shtete tjera si Japonia, Koreja e Jugut, Mbretëria e Bashkuar, e deri në Australi.

Raportohet se qasja e politikës së jashtme të Trumpit rrezikon marrëdhëniet e SHBA-së me NATO-n, Ukrainën dhe Kinën.

E debati i Trumpit me presidentin aktual të SHBA-së Joe Biden, nuk ka shpëtuar pa reagime nga personalitete të vendeve të ndryshme.

Udhëheqësi i laburistëve në Mbretërinë e Bashkuar, Keir Starmer, tha se nëse zgjidhet kryeministër do të punojë me “këdo që do të jetë president”, duke theksuar se e vendos marrëdhënien “historike” të SHBA-së me Mbretërinë e Bashkuar “mbi individë”.

Kjo deklaratë vjen ndërsa partia e tij ka një epërsi të konsiderueshme në sondazhe përpara zgjedhjeve të përgjithshme më 4 korrik.

Një tjetër figurë e lartë e qeverisë gjermane është ankuar për performancën e Joe Biden në debat dhe u ka kërkuar demokratëve ta zëvendësojnë atë me një tjetër kandidat.

“Fakti që një njeri si Trump mund të bëhet sërish president sepse demokratët nuk janë në gjendje të sigurojnë një kandidat të fortë kundër tij, do të ishte një tragjedi historike që e gjithë bota do ta ndjente”, tha Marie-Agnes Strack-Zimmermann, nga partia liberale FDP.

Një zdhënës i kancelarit gjerman Olaf Scholz nuk komentoi specifikat e debatit, por theksoi se kancelari e vlerëson Bidenin.

Ndërsa transmetohej debati, disa zyrtarë dhe ekspertë australianë morën pjesë në një seminar të titulluar “Trump 2.0”, shkruan skynews,

“Ndjenja dërrmuese nga sot është se debati ishte një fatkeqësi për Biden”, tha Peter Dean, një profesor në Qendrën e Studimeve të Shteteve në Sidnei.

Reagim pati edhe nga shteti japonez.

“Trump nuk fitoi, por Biden mund të kishte shpërthyer”, tha Kunihiko Miyake, një ish-diplomat japonez dhe tani drejtor kërkimi në Institutin Canon për Studime Globale.

Marrëdhëniet japoneze me administratën e fundit të Trump u tensionuan nganjëherë nga kërkesat e tij për më shumë pagesa për ndihmën ushtarake, si dhe tensionet tregtare.

“Pyetja më e madhe për Japoninë do të ishte nëse Trump do ta vlerësojë dhe ruajë vërtet aleancën e sigurisë”, tha Takashi Kawakami, një profesor në Universitetin Takushoku të Japonisë në Tokio.

Ndërkohë, debati ka ngjallur shqetësime edhe në Korenë e Jugut, për mundësinë e zgjedhjes së një administrate të dytë Trump.

“Trump, si një maniak i luftës tregtare, mund të mos synojë vetëm Kinën, por të vendosë tarifa edhe kundër vendeve të tjera”, tha Stephen Lee, ekonomist në Meritz Securities në Seul.

Të ngjashme