Lajme
Bota e tmerruar nga gjakderdhja e shkaktuar në Mianmar
Demokracia
14:05 | 28 Mars 2021

Share:

Junta ushtarake, i cili është grup ushtarakësh që marrin pushtetin dhe qeverisin vendin me dhunë, dje festoi Ditën e Forcave të Armatosura të Mianmarit, ku u vranë deri 90 persona, numër ky që nuk ka arritur të konfirmohet nga mediat ndërkombëtare.

Dhjetëra protestues raportohet se janë vrarë në Mianmar, në ditën kur ushtria shënoi Ditën e Forcave të Armatosura, përcjell Demokracia.com.

Sipas mediave lokale, deri në 90 persona u vranë të shtunën, megjithatë ky numër nuk ka arritur që të konfirmohet nga mediat ndërkombëtare.

Që prej puçit ushtarak të 1 shkurtit, qytetarët në Mianmar po protestojnë duke kërkuar rikthimin e demokracisë.

Më herët gjatë ditës, gjenerali Min Aung Hlaing, gjatë adresimit për Ditën e Forcave të Armatosura tha se do të mbahen zgjedhje të reja, por nuk dha ndonjë datë për mbajtjen e tyre.

Komandantët ushtarakë të 12 shteteve kanë dënuar forcën vdekjeprurëse të përdorur nga ushtria e Mianmarit, pasi më 27 mars u vranë mbi 90 persona, që ishte dita më e përgjakshme që prej se në këtë shtet ushtria mori kontrollin dhe filloi shtypjen e protestuesve që po e kundërshtojnë puçin ushtarak.

Përmes një deklarate të përbashkët, shefat e mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara dhe disa shteteve të NATO-s si dhe të Japonisë, Zelandës së Re, Koresë së Jugut dhe Australisë, thanë se ushtria në Mianmar – që njihet ndryshe edhe si Birmani – ka humbur kredibilitetin me njerëzit e saj.

“Një ushtri profesionale ndjek standardet ndërkombëtare për sjelljen dhe është përgjegjës për mbrojtjen, jo të lëndojë njerëzit ndaj të cilëve shërben”, thanë zyrtarët e mbrojtjes në deklaratën e përbashkët, ku dënuan përdorimin e forcës vdekjeprurëse ndaj njerëzve të paarmatosur.

Në deklaratë, zyrtarët e mbrojtjes i bën thirrje ushtrisë së Mianmarit që të “heqë dorë nga dhuna dhe të punojë për të vendosurin respektin dhe besueshmërinë me popullin e Mianmarit”.

Kjo deklaratë erdhi pasi diplomatët nga shumica e të njëjtave shteteve po ashtu shprehur zemërimin e tyre lidhur me dhunën që ndodhi, teksa junta ushtarake festoi Ditën e Forcave të Armatosura të Mianmarit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se ShBA-ja ishte e “tmerruar nga gjakderdhja e shkaktuar nga forcat e sigurisë së Mianmarit” dhe se ushtria tregoi gatishmërinë e saj për të “sakrifikuar jetën e njerëzve, në mënyrë që t’u shërbejë vetëm një pjese të vogël të popullsisë”.

Kryediplomati amerikan shtoi se “njerëzit e guximshëm të Mianmarit refuzojnë sundimin e terrorit të ushtrisë”.

Delegacioni i Bashkimit Europian në shtetet e Azisë Juglindore, e përshkroi Ditën e Forcave të Armatosura si një ditë të “terrorit”, ndërkaq, sekretari i jashtëm britanik, Dominic Raab tha se kjo ditë ishte “një pikë e re e ulët” për juntën në Mianmar.

Kombet e Bashkuara thanë se kanë pranuar raportime për “dhjetëra të vrarë” dhe thanë se më 27 mars, në Mianmar kishte “dhunë shokuese”. OKB-ja po ashtu tha se në këtë shtet ka pasur arrestime masive dhe qindra persona janë plagosur në të paktën 40 qytete.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres dënoi “vrasjen e dhjetëra civilëve, përfshirë fëmijë dhe të rinj nga forcat e sigurisë në Mianmar”, tha një zëdhënës i tij.

“Shtypja e vazhdueshme e ushtrisë… është e papranueshme dhe kërkon një përgjigje ndërkombëtare të fortë dhe të unifikuar”, tha ai.

Shoqata për të Burgosurit Politik, që dokumenton vdekjet dhe arrestimet, tha se në Mianmar janë vrarë 91 persona. Një media online, Myanmar Now, në orët e vona të 27 marsit raportoi se numri i vdekjeve arriti në 114. Ndërkaq, një kërkues i pavarur në Rangoo tha se numri i viktimave ishte 107.

Gjatë fjalimit në Ditën e Forcave të Armatosura, gjenerali Min Aung Hlaing, edhe njëherë mbrojti vendimin për puç ushtarak dhe u zotua se do ta dorëzojë pushtetin pas mbajtjes së zgjedhjeve të reja, përcjell Demokracia.com.

Por, ky komandant i juntës ushtarake po ashtu ka kërcënuar protestuesit, duke thënë se “aktet e terrorizmit, që mund të jenë të dëmshme për stabilitetin dhe sigurinë e shtetit” janë të papranueshme.

Dita e Forcave të Armatosura shënohet për të kujtuar nisjen e rezistencës lokale ndaj okupimit japonez gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Junta njoftoi se tetë delegacione ndërkombëtare morën pjesë në paradë, përfshirë ata nga Kina dhe Rusia. Media shtetërore shfaqi zëvendësministrin e Mbrojtjes së Rusisë, Aleksandr Fomin teksa ndiqte paradën.

Fomin tha se Rusia është “e përkushtuar ndaj një strategjie që synon rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes së Rusisë. Në njoftim po ashtu u tha se pajisjet ushtarake, të prodhuara në Rusi, janë shfaqur në këtë paradë, transmetoi Interfax.

Qindra persona, që janë arrestuar për shkak të pjesëmarrjes në protesta, si pasojë e puçit ushtarak në Mianmar (Birmani), janë liruar më 24 mars nga burgu në Rangoon, kanë raportuar dëshmitarët dhe mediat lokale.

Ky shtet i Azisë Juglindore është përballur me protesta ditore prej puçit 1 shkurtit dhe arrestimit të lideres së rrëzuar nga pushteti Aung San Suu Kyi.

Mbështetësit e saj kanë thënë se akuzat kundër saj janë të rreme.

Disa autobusë të mbushur me të burgosur janë larguar nga burgu Insein në mëngjes, kanë thënë dëshmitarët.

Në mesin e tyre është thënë të ketë pasur edhe avokatë.

Autoritetet, në anën tjetër, ende nuk kanë bërë ndonjë njoftim zyrtar.

Liderët ushtarakë kanë thënë se zgjedhjet e nëntorit të vitit 2020, të fituara nga partia e Suu Kyisë, janë manipuluar. Puçi ushtarak i shkurtit ka kthyer mbrapsht përpjekjet për t’u këndellur nga rregulli ushtarak për gati gjysmë shekulli.

Grupi aktivist Asociacioni për të Burgosurit Politikë ka thënë se të paktën 2,000 persona janë arrestuar në protestat kundër puçit. Në këtë periudhë, 250 persona janë vrarë nga forcat e sigurisë.

Një vajzë shtatë vjeçe u qëllua për vdekje nga forcat e sigurisë në Mianmar, duke u bërë viktima më e re e protestave që kanë përfshirë këtë vend. Anëtarët e familjes thanë se vajza u vra në shtëpinë e saj në qytetin Mandalaj. Ajo u identifikua si Khin Myo Chit.

Organizata bamirëse “Save the Children” thotë se mbi 20 fëmijë janë në mesin e njerëzve të vrarë në protesta.

Ajo tha se është “tmerruar” nga vdekja e vajzës, e cila vjen një ditë pas raporteve se një djalë 14 vjeç është vrarë po ashtu në Mandalaj.

Ushtria thotë se 164 njerëz janë vrarë në total, ndërsa grupi i aktivistëve, i njohur si Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë, thotë se bëhet fjalë për së paku 261 të vrarë në protesta.

Ushtria tha të martën se shpreh keqardhje për viktimat, por për to fajësoi anarkinë në vend.

Një zëdhënës i ushtrisë tha se protestuesit janë përgjegjës për aktet e dhunës dhe zjarrvënien.

Papa Françesku bëri thirrje për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Mianmar.

“Edhe unë gjunjëzohem në rrugët e Mianmarit dhe them: ndal dhunën”, ka thënë Papa gjatë një audience të mbajtur në distancë, nga biblioteka e Vatikanit, për shkak të kufizimeve të pandemisë.

“Edhe një herë dhe me shumë trishtim ndiej urgjencë të flas për situatën dramatike në Mianmar, ku shumë njerëz, shumica e tyre të rinj, po humbin jetën në mënyrë që t’i ofrojnë shpresë vendit të tyre”, tha Papa Françesku.

Në Mianmar ka rreth 800 mijë katolikë. Shumica e popullsisë janë budistë.

Mianmari është në krizë që prej se ushtria mori kontrollin e shtetit më 1 shkurt, përmes një grushti të shtetit dhe arrestoi lideren civile, Aung San Suu Kyi dhe politikanë të tjerë të cilët gjenden në paraburgim.

Ushtria tha se organizoi puç për shkak të zgjedhjeve të nëntorit të vitit të kaluar, ku partia e Suu Kyisë fitoi bindshëm. Ushtria argumentoi se kishte manipulime në zgjedhje.

Që atëherë, në mbarë Mianmarin janë organizuar protesta, të cilat janë shtypur me dhunë nga forcat e sigurisë, ku janë arrestuar mbi 2 mijë e 600 persona. Me shifrat e fundit të viktimave, numri i të vrarëve në Mianmar ka arritur në mbi 400./Demokracia.com/

Të ngjashme