Lajme
Bosnja shqipton dënimin e parë për mohimin e gjenocidit dhe lartësimin e kriminelëve të luftës
Demokracia
18:49 | 22 Maj 2025

Share:

Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës e ka dënuar me dy vjet e gjysmë burgim, në një vendim të shkallës së parë, Vojin Pavloviqin – kryetarin e Shoqatës proruse Alternativa Lindore e Republikës Sërpska – për mohimin dhe lartësimin e gjenocidit në Srebrenicë, si dhe për lavdërimin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq.

Gjyqtari, në vendimin e tij, tha se ky është një moment historik për praktikën gjyqësore në Bosnje e Hercegovinë dhe u bëri thirrje prokurorive t’i ndjekin penalisht rastet e tilla.

“Gjykata po dërgon një mesazh të qartë se vendimet për gjenocidin dhe krimet e luftës janë fakte të vërtetuara gjyqësisht, jo vetëm nga Gjykata e Hagës, por edhe nga gjykatat në Bosnje e Hercegovinë”, tha gjyqtari Goran Radeviq, duke shtuar se veprimet e Pavloviqit nuk përbënin shprehje të opinionit politik në kuadër të lirisë së fjalës, por “mohim të ashpër të gjenocidit”.

Pavloviq u dënua sepse më 10 mars 2023, në një kryqëzim në Bratunac, kishte vendosur një pankartë me fotografinë e Ratko Mlladiqit, ish-komandantit të ushtrisë së RS-së i dënuar me burgim të përjetshëm për krime lufte dhe gjenocid në Bosnje e Hercegovinë.

Pankarta mbante mbishkrimin: “Gëzuar ditëlindjen, rrofshi me shëndet”.

Në aktgjykim thuhet se Pavloviq, në cilësinë e kryetarit të Alternativës Lindore, ka qenë plotësisht i vetëdijshëm se me këtë veprim ka madhëruar Ratko Mlladiqin.

Ai gjithashtu është shpallur fajtor për miratimin dhe përpjekjen për të justifikuar gjenocidin në Srebrenicë përmes organizimit të një tubimi në Bratunac më 11 korrik 2023, për të cilin kishte përgatitur postera me mbishkrimin: “11 Korriku – Dita e Çlirimit të Srebrenicës. Faleminderit Ushtrisë së Republikës Sërpska”.

Këta postera u ngjitën në zona të ndryshme të komunës së Bratunacit, vetëm disa kilometra larg Srebrenicës.

Pavloviq dhe avokati i tij nuk morën pjesë në shpalljen e vendimit, edhe pse në seancat e para ai ishte deklaruar i pafajshëm.

Ky është vendimi i parë i këtij lloji në Bosnje e Hercegovinë.

Si mbrojtja ashtu edhe Prokuroria e Shtetit mund të parashtrojnë ankesë ndaj vendimit.

Ish-Përfaqësuesi i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje e Hercegovinë, Valentin Inzko, kishte vendosur në korrik të vitit 2021, përmes të ashtuquajturave “kompetenca të Bonit”, ndryshime në Kodin Penal të Bosnjës, përmes të cilave ndalohen dhe ndëshkohen mohimi i gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës, si dhe lartësimi i kriminelëve të luftës.

Shoqata Alternativa Lindore e Republikës Sërpska njihet për ngjitjen e posterve dhe lartësimin e kriminelëve të dënuar të luftës, përfshirë edhe presidentin e entitetit Republika Sërpska, Millorad Dodik.

Në statutin e kësaj shoqate thuhet se ata janë kundër Bashkimit Evropian dhe bashkëpunimit me NATO-n.

Shoqata përkrah bashkëpunimin me Rusinë, Kinën “dhe të gjitha shtetet që janë miqësore ndaj popullit serb”.

Ajo gjithashtu angazhohet për pavarësinë e Republikës Sërpska dhe për “vërtetimin e së vërtetës” mbi Srebrenicën.

Më 23 maj 2024, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një Rezolutë me të cilën 11 korriku shpallet Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë dhe dënohet mohimi i gjenocidit dhe lartësimi i kriminelëve të luftës./

Të ngjashme