Lajme
Bosnja dhe Hercegovina planifikon të investojë 2 miliardë dollarë për energjinë e pastër
Demokracia
12:19 | 17 Prill 2022
Ilustrim

Share:

Rajonet e Bosnjës planifikojnë të investojnë gjithsej 3.6 miliardë marka boshnjake (2 miliardë dollarë) në projektet e energjisë së rinovueshme gjatë pesë viteve të ardhshme, por do të vazhdojnë të mbajnë në operim termocentralet me qymyr, pavarësisht kundërshtimeve të Bashkimit Europian, thanë zyrtarët të mërkurën.

Dy rajonet që përbëjnë Bosnjën – Federata Boshnjako-Kroate dhe Republika Serbe – janë zotuar të ndjekin udhëzimet e BE-së dhe të eliminojnë gradualisht prodhimin e lëndëve djegëse fosile deri në vitin 2050, por janë vonuar në rregullimin e legjislacionit dhe mbylljen e termocentraleve.

“Ne duhet të vazhdojmë me tranzicionin e energjisë për të siguruar stabilitetin energjetik, në një mënyrë të pranueshme shoqërore”, tha ministri i Energjisë, Nermin Dzindic, në një konferencë energjetike në qytetin Neum.

Bosnja është i vetmi vend ballkanik që eksporton energji elektrike, e cila pothuajse prodhohet e gjitha nga qymyri dhe hidrocentralet. Prodhimi i energjisë përbën 20% të prodhimit kombëtar të vendit ballkanik.

Dzindic tha se Federata planifikon të investojë 1.5 miliardë marka në projektet e energjisë së erës dhe diellore në tre vitet e ardhshme, duke shtuar rreth 600 megavat (MW) të prodhuara nga burime të rinovueshme. Por shumica e termocentraleve me qymyr do të vazhdojnë të funksionojnë të paktën deri në vitin 2035, shtoi ai.

“Për momentin, Bosnjë-Hercegovina nuk ka mundësi që të heqë dorë nga karburantet fosile”, tha Dzindic. Homologu i tij i Republikës Serbe, Petar Djokic, e mbështeti këtë deklaratë, duke thënë se priste që BE të ndihmonte me procesin.

Republika Serbe gjithashtu ka në plan të investojë në një shtesë prej 600 MW energji të pastër në projekte me vlerë rreth 2.1 miliardë marka, në pesë vitet e ardhshme, tha Djokic.

BE-ja dhe mbikëqyrësi i saj i energjisë, thonë se Bosnja duhet të miratojë ligje të nivelit shtetëror për energjinë elektrike dhe gazin, për t’u kualifikuar për financimin e planit të saj ekonomik dhe investues, prej 9 miliardë eurosh (9.9 miliardë dollarë), për projektet e tranzicionit të energjisë.

“Ne po përballemi me një detyrë shumë serioze – një cikël të ri investimi për Bosnjën”, tha Ognjen Markovic, një ekspert i tranzicionit energjetik në Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

“Ne duhet të ndërtojmë 2000 MW kapacitete të reja në 10 vitet e ardhshme, dhe kjo është një kërkesë e madhe që kërkon mobilizimin e shtetit dhe të shoqërisë”, tha Markovic. “Pa këtë, nuk mund të ketë siguri energjetike”./Reuters

Të ngjashme