Vlera e përgjithshme e borxheve të vjetra në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), në fund të vitit 2021, ka arritur në 96 milionë e 140 mijë euro, borxhe këto të cilat vijnë kryesisht nga ndërmarrjet publike.
Vetëm një vit më herët, vlera e këtij borxhi ishte 78 milionë e 206 mijë, që shënon një rritje për mbi 17 milionë euro.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e saj auditues për vitin 2021 për ATK-në, ka konstatuar se mbledhja e borxheve të vjetra nga ATK-ja mbetet ende sfidë për këtë institucion, pasi e njëjta nuk ka treguar efikasitet në mbledhjen e borxheve të vjetra apo në marrjen e ndonjë iniciative për të pastruar stokun e borxhit nga të gjitha borxhet e pa mbledhshme.
Ndërkohë, sipas ATK-së, rritja e stokut të borxhit të përgjithshëm është ndikuar nga borxhet e vjetra e të cilat vijnë kryesisht nga ndërmarrjet publike, përcjell Buletini Ekonomik.
“ATK nuk ka treguar efikasitet në mbledhjen e borxheve të vjetra apo në marrjen e ndonjë iniciative për të pastruar stokun e borxhit nga të gjitha borxhet e pa mbledhëshme. Kjo çështje mbetet sfidë edhe për të ardhmen pasi që vlera e tij në fund të vitit 2021 ishte rritur në 96,140,956€, krahasuar me vlerën e tij në 2020 që ishte 78,206,361€”, thuhet në raport.
Megjithatë gjatë vitit 2021, si rezultat i rritjes së aktivitetit ekonomik në vend, ATK kishte arkëtuar borxhe jo të vjetra në vlerë prej 134,813,165 euro, që krahasuar me vitin 2020, ku ishin mbledhur 97,563,764 euro, Auditori thotë se “kishte një progres të rëndësishëm”.
E ATK-ja për vitin 2021, në planin e punës kishte përcaktuar që të inkasohen borxhet në vlerë të 146,561,209 euro.
Ndërkohë, niveli i ulët i arkëtimit të borxheve të vjetra, sipas ZKA-së, rritë stokun e borxheve të akumuluara, të cilat me kalimin e kohës vjetërsohen dhe shndërrohen në borxhe të këqija dhe të pambledhshme.
Auditori i Përgjithshëm i rekomandon Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së se duhet të ndërmerren veprime më efektive në inkasimin e këtyre borxheve. Gjithashtu, Auditori thekson se duhen përpjekje shtesë për trajtimin e stokut të borxheve të vjetra bazuar në kërkesat ligjore përkatëse. /Buletini Ekonomik/