Lajme
Borrelli shpreson që Kurti e Vuçiqi ta pranojnë propozimin evropian
Demokracia
12:40 | 19 Shkurt 2023

Share:

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, gjatë Konferencës së Sigurisë së Mynihut është takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Borrell në një prononcim për Deutsch Welle ka njoftuar se i ka ftuar Kurtin dhe Vuçiqin për takim më 27 shkurt në Bruksel.

“Do të takohem me ata të dy në Bruksel më 27 shkurt. Po, i ftova të vijnë dhe të zhvillojnë bisedime gjatë gjithë ditës, sepse ne kemi një propozim në tryezë dhe shpresoj se ata do të jenë në gjendje ta pranojnë atë propozim si një mënyrë për të normalizuar marrëdhëniet e tyre”, tha Borrell.

Kësaj i parapriu një ofensivë diplomatike me muaj ndaj Kosovës dhe Serbisë për të pranuar të planin franko-gjermane si bazë të negociatave.

Sanksionet kundër Rusisë po diskutohen me Beogradin

I pyetur se sa e rëndësishme është vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë për rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian, përfaqësuesi i lartë i BE-së thotë se janë duke kërkuar që të gjithë të respektojnë sanksionet e BE-së kundër Rusisë.

“Ne kërkojmë nga të gjithë anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht ata që janë kandidatë për anëtarësim në BE, që të respektojnë sanksionet tona. Në veçanti, kërkojmë nga kandidatët që të përafrohen me politikën tonë të jashtme”, tha Borrell.

“Sigurisht që Serbia nuk po harmonizohet me politikën tonë të jashtme aq sa do të donim. Është pjesë e bisedës dhe angazhimit ndaj Serbisë”, shtoi Borrell.

Të ngjashme