Lajme
Borrelli e Lajçaku porosi Kosovës e Serbisë: Pritshmëritë e BE-së s’do të ndryshojnë – marrëveshjet vlejnë edhe pa nënshkrim
Demokracia
23:18 | 30 Qershor 2024

Share:

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, derisa ka bërë një përmbledhje të ngjarjeve dhe zhvillimeve në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përgjatë mandatit pesëvjeçar, ka thënë se për të ecur përpara ka nevojë për guxim, vizion dhe vullnet politik.

Një një tekst autorial të botuar në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), në prag të përfundimit të mandatit, ka shtuar se zotimet që kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç kanë marrë përsipër në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, nuk do të ndryshojnë, pavarësisht se kush vjen në krye të institucioneve të BE-së.

“Ne kemi bërë shumë gjatë viteve të fundit, por procesi mund të përparojë vetëm në bazë të gatishmërisë së të dy palëve. Ndërmjetësimi i BE-së nuk mund të arrijë më shumë normalizim sesa dëshiron Kosova dhe Serbia. Pas disa muajsh, njerëz të ndryshëm do të jenë në krye, por pritshmëritë e BE-së nuk do të ndryshojnë”, ka deklaruar ndër të tjera diplomati spanjoll.

“Të gjithë do të jenë duke kërkuar për gatishmërinë e presidentit serb dhe kryeministrit të Kosovës për të ofruar një të ardhme më të mirë evropiane për popullin e tyre. Në fund, duhet guxim, vizion dhe vullnet politik. BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë në çdo hap gjatë rrugës”, ka potencoi shefi i diplomacisë evropiane.

E emisari special i BE-së për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beograd, Mirosllav Lajçak, në një panel diskutimi në kuadër të Forumit të Dubrovnikut nën patronazhin e Qeverisë së Kroacisë të shtunën, ka ritheksuar se formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit të të dy liderëve nuk është çështje relevante – marrëveshja e vitit të kaluar është ligjërisht obligative.

“Së pari, u takon palëve që të përcaktojnë se çfarë saktësisht do të thotë normalizimi i marrëdhënieve. Së dyti, marrëveshja që kemi arritur në shkurt dhe mars të vitit të kaluar, është ligjërisht obligative në tërësi dhe në përputhje me Konventën e Vjenës për të Drejtën e Traktateve”, ka kujtuar ai, derisa ka potencuar se vetëm implementimi është çështje relevante.

“Në fund të fundit, dispozitat e marrëveshjes janë bërë pjesë e kapitullit 35 të Serbisë, pra kjo do të thotë pjesë e marrëdhënieve formale midis Serbisë dhe BE-së. Pra, ne jemi duke shpenzuar shumë kohë rreth një çështjeje që nuk është fort e rëndësishme. Ajo që është e rëndësishme është se ne kemi bërë shumë pak progres në zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, ka nënvizuar ai.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve në fillim të vitit 2023, fillimisht në Bruksel të Belgjikës, pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, ata nuk kanë arritur t’i bindin palët që ta zbatojnë të njëjtën.

Ndryshe, përderisa terreni i kërkimit të madh për “përgjigjet” dhe “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë edhe në muajt në vijim, mbetet për t’u parë nëse lista e skenarëve të dhunës që mund të rezultojnë për shkak çështjeve të hapura dhe tensioneve ekzistuese do të zgjerohet apo Kosova dhe Serbia do të fillojnë zbatimin e marrëveshjeve në funksion të kauzës së paqes.

Të ngjashme