Lajme
Borrell u raporton ministrave të BE-së për tensionet në veri: Do të tregojë “edhe masat që janë marrë ndaj qeverisë kosovare”
Demokracia
10:54 | 26 Qershor 2023

Share:

Në agjendën evropiane situata në pjesën veriore të Kosovës do të jetë “tema e javës” në disa takimet të niveleve të larta ministrore të cilët janë raportuar në media. Gjendja nuk u shtensionua as pas takimit, siç u quajt, “për menaxhim të krizës”, ku Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ftoi krerët e dy shteteve, Albin Kurtin dhe Aleksandar Vuçiq. S’shkuan as njëzet e katër orë kur tensionet veçse u rinuan. Borrell u tërbua. Lëshoi një cicërimë tejet të pazakontë, por që në vete mbante atë që një ditë më parë kishte provuar ta qetësonte. Arrestimin e një serbi e quajti “jashtëgjyqësor”, qortoi marshimin kondicional vjetor të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe “retorikën” militare serbe e cila jehoi në veçanti nga një konferencë për media të pazakonshme të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviq.

Siç merr vesh Radio Evropa e Lirë (shërbimi në gjuhën serbe) kryediplomati spanjoll i BE-së, Josep Borrell, do të dorëzojë një raport rreth takimeve me Kurtin dhe Vuçiqin, “por edhe për masat ndëshkuese që BE ka marrë ndaj pjesëtarëve të qeverisë kosovare”. Në takim me ministrat e jashtëm evropianë “do të shkëmbehen mendime” rreth situatës ditë e më të ashpër, i thonë REL-it, burimet diplomatike.

Më tej, burimet diplomatime thonë se nuk pritet të ketë konkluzione formale ose vendime, përveç diskutimeve rreth masave që blloku evropian mund të merr ndaj palëve për t’i bindur në marrjen e menjëhershme të hapave për shtensionim.

“BE nuk do ta tolerojë këtë”, ishte cicërima e vrazhdë e Borrellit referuar tensioneve të nesërme pas takimeve me Kurtin dhe Vuçiqin, ndërsa u shpreh “tejet i alarmuar” nga gjendja.

“Tejet i alarmuar me situatën në veri të Kosovës: arrestimet jashtëgjyqësore të serbëve të Kosovës dhe marshimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicë të Jugut; ndjekur nga retorikë e rëndë nga Serbia. Pavarësisht takimit të djeshëm të krizës, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet edhe më i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë”, ka shkruar Josep Borrell.

Kjo cicërimë e Borrellit shkaktoi reagime në varg në mbarë qeverinë kosovare dhe partinë Vetëvendosje. Reagimi më i theksueshëm ishte i vetë Kurtit i cili fjalinë e Borrellit e vlerësoi për “dezinformatë” dhe “të rrezikshme”, ndërsa ministrja e tij e jashtme Donika Gërvalla ia ktheu me: “A po kërkon që ata që sulmuan NATO-n të kalojnë pandëshkueshëm?”. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, madje e quajti “deklaratë politike që i shërbim dikujt…këtij apo atij”, duke aluduar sërish në atë se BE po i mban anën Serbisë; derisa e ftoi “të jetë konsistent”.

“Të shpërndash panik dhe pretendime të rreme vetëm se nxit tensionet dhe i ndihmon ata që synojnë eskalimin. Një thirrje për të gjithë: ju lus të konfirmoni burimet e juaja dhe të prisni informacionet zyrtare nga institucionet kosovare para se të vendosni të angazhoheni publikisht në transmetimin e lajmeve ose të parashikoni ngjarjet”, i reagoi Kurti Borrellit.

“Dezinformimi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm”, shkroi Kurti.

Ndërkaq, një veturë e identifikuar dhe kapur në Zveçan e stërmbushur me armë, që shteti kosovar e vlerëson për “terrorizëm…të parandaluar” ka bërë që t’i drejtohen me Borrell-it me kërkesën për të dënuar “këtë agresion të Serbisë”. Megjithatë, jo vetëm Borrell, por edhe i mbarë Komuniteti Trans-Atlantik s’e ka dhënë një vlerësim ose konstatim të tillë.

Të ngjashme