Lajme
Borrell paralajmëroi negociata mes palëve, në Bruksel shkoi vetëm Bislimi, Petkoviq u “zhduk”
Demokracia
17:14 | 17 Nëntor 2022

Share:

Bashkimi Europian nuk do që të presë 21 nëntorin – datë e paraparë për fillimin e gjobave për qytetarët serbë që mbajnë targa ilegale – pa pasë një marrëveshje që i gjen zgjidhje kësaj çështje.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, me shqetësim foli për këtë temë pas përfundimit të takimit të Këshillit për Punë të Jashtme të hënën e kësaj jave. Ai tha se me doemos të dyja palët duhet të angazhohen urgjentisht që të tregojnë gatishmëri që të gjejnë një zgjidhje që ul tensionet.

Borrell tha se Brukseli do të jetë nikoqir i kryenegociatorëve nga Kosova e Serbia për të diskutuar mbi hapat e ardhshëm që duhet të çojnë drejt zgjidhjes.

“Kryenegociatorët do të fillojnë të punojnë këtu në Bruksel për hapat e ardhshëm. Ata do të fillojnë punën sonte. Pala kosovare tashmë është duke ardhur sonte”, tha i bindur Borrell.

Por, ndryshe nga kjo që lajmëroi, në Bruksel shkoi vetëm kryenegociatori kosovar, Besnik Bislimi, derisa ai i palës serbe, Petar Petkoviq, e injoroi këtë thirrje të kryediplomatit europian.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje për Gazetën Express konfirmoi se takimi është mbajtur vetëm me Besnik Bislimin, derisa përsëriti se njoftimet për takimet e këtij niveli s’bëhen publike.

“[Të martën] kishte takim vetëm me kryenegociatorin kosovar”, tha shkurt Stano.

Për mospjesëmarrjen e palës serbe në takimet e Brukselit pyetën edhe vetë gazetarët serbë në konferencën për media të BE-së, të martën.

“A e dini nëse përfaqësuesi serb do të vijë në Bruksel, apo është këtu, nuk e di?”, pyeti gazetarja serbe.

Por, për këtë s’pati përgjigje zëdhënësi i BE-së, Stano.

“Mendoj se e kemi pasë këtë çështje disa herë. Ne flasim në emër të Bashkimit Europian, institucioneve dhe zyrtarëve të tij. Nëse dëshironi të dini për kryenegociatorin serb, ndoshta duhet të pyesni palën serbe për këtë”, tha ai.

Edhe pse në fillim ishte paraparë që të ketë takim me të dyja palët nga ndërmjetësuesi i BE-së, Miroslav Lajçak, për çështjen e targave, nga kabineti i Bislimi tek pas qartësimit të situatës se Petkoviq s’ka shkuar në Bruksel, duke iu përgjigjur kritikave që një vendim i Kosovës po negociohet, treguan se në takimi ishte vetëm mes Bislimit dhe Petkoviqit.

“Ajo çfarë ka deklaruar z. Hoti nuk është e vërtetë. Asnjë përfaqësues i Qeverisë së Republikës së Kosovës, nuk është takuar me Petkoviqin në Bruksel”, shkroi këshilltari i Bislimit, Klisman Kadiu, duke shpërndarë një postim të deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, që kritikoi qeveritarët që “shkojnë e takohen me Petkoviqin në Bruksel”.

Sidoqoftë, Bislimi tha se në takimin që pati me Lajçakun nuk ka gjetur marrëveshje për të dalë nga situata e krijuar.

Nga ana tjetër, Borrell në deklarimin e të hënës tregoi se kishte në plan që të aranzhojë një takim të nivelit të lartë nëse dy kryenegociatorët do të lëviznin drejt një marrëveshje për targat.

“Unë jam gati të mbledh liderët nëse negociatorët arrijnë të përparojnë drejt një zgjidhjeje praktike për çështjen e targave para afatit të 21 nëntorit. Nuk mund ta arrijmë këtë datë pa një marrëveshje ose do të jemi në prag të një situate të rrezikshme”, ka thënë Borrell.

Të ngjashme