Lajme
Borrell para takimit me Kurtin e Vuçiqin: Kemi nevojë për de-përshkallëzim të situatës
Demokracia
23:00 | 20 Nëntor 2022

Share:

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell para takimeve të nesërme në Bruksel me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka thënë se është e nevojshëm de-eskalimi i situatës.

“Unë do të thërras nesër një takim urgjent të dialogut Beograd-Prishtinë me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Ne kemi nevojë për de-eksalimin e situatës, të ndalojmë së shkuari nga menaxhimi i përhershëm i krizës dhe në vend të kësaj të fillojmë të avancojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, ka shkruar Borrell në Twitter.

Takimet e së hënës mbahen një ditë para hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë së Kosovës për gjobitjen e ngasësve të automjeteve me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.

Të dielën Bashkimi Evropian ka njoftuar se të hënën do të mbahet takim i nivelit të lartë të dialogut Kosovë – Serbi.

BE-ja ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të priten në Bruksel nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe nga emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak.

Borrell do të presë Kurtin e Vuçiqin me fillim nga ora 8 e mëngjesit në takime ndaras, ndërsa më pas do të ketë edhe takim trepalësh.

“Fokusi i takimit urgjent do të jetë gjetja e një rrugëdaljeje nga kriza aktuale dhe shmangia e çdo përshkallëzimi dhe tensioni të mëtejshëm në terren, me theks në targat dhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës. Do të ketë një deklaratë për media nga Përfaqësuesi i Lartë në fund të takimit”, thuhet në njoftim.

Autoritetet në Kosovë kanë njoftuar se nga 22 nëntori do të nisin shqiptimin e gjobave prej 150 euro për shoferët në veri që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, të cilat Kosova i konsideron të paligjshme.

Serbët në veri të Kosovës, ku përbëjnë shumicën, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjoba, ashtu siç kanë kundërshtuar gjithë vendimin e Qeverisë për targa.

Të ngjashme