Lajme
Borrell: Ofensiva izraelite në Rafah do të kishte pasoja katastrofale, raportimet janë alarmuese
Demokracia
13:28 | 10 Shkurt 2024

Share:

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se planet e Izraelit për një ofensivë ushtarake në Rafah të Rripit të Gazës janë alarmuese.

“1,4 milion palestinezë janë tash për tash në Rafah pa vend të sigurt për të shkuar, duke u ballafaquar me vdekje nga uria” – shkroi kryediplomati evropian në rrjetin X.

“Raportimet për një ofensivë ushtarake izraelite në Rafah janë alarmuese. Kjo do të kishte pasoja katastrofale që e përkeqësojnë gjendjen tashmë të rëndë humanitare dhe numër të papërballueshëm të viktimave civile” – shtoi ai.

Rafah shtrihet në skajin jugor të Gazës dhe një pjesë e madhe e popullsisë së enklavës është strehuar atje.

Më herët, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u ka thënë zyrtarëve që “të dorëzojnë në kabinet një plan të kombinuar për evakuimin e popullsisë dhe shkatërrimin e batalioneve” të Hamasit që janë fshehur në Rafah, tha zyra e tij.

Netanyahu këtë javë tha se e ka udhëzuar ushtrinë për t’u përgatitur për hyrje në Rafah dhe se “fitorja totale” kundër militantëve do të vijë brenda muajve.

Të ngjashme