Lajme
Borrell: Kosova të tregojë fleksibilitet për targa, ta nisë themelimin e Asociacionit
Demokracia
17:43 | 14 Nëntor 2022

Share:

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë se Kosova duhet të tregojë fleksibilitet për çështjen e targave, ndërsa duhet të nisë edhe punën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Borrell në konferencë për media pas takimit të Këshillit të ministrave të jashtëm BE-së, ka thënë se situata në Kosovë është më e rrezikshmja që nga viti 2013.

“Duhet të ulen tensionet që po arrijnë në nivele të rrezikshme. Mund të themi se jemi duke u përballur me krizën më serioze e të rrezikshme që nga viti 2013, pra në dhjetë vjetët e fundit. Të dyja palët duhet të tregojnë urgjentisht gatishmëri për të ecur para e t’i ulin tensionet. Nuk është e pranueshme nga asnjëra palë që të injorojë apo shkelë marrëveshjet e arritura në dialog”, tha Borrell.

Ai ka treguar se kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, do të jetë në Bruksel sonte për të biseduar për çështjen e targave e çështjet tjera. E po ashtu pritet të ketë bisedime edhe me kryenegociatorin serb Petar Petkoviq.

“Do të nisim takime me kryenegociatorët. Pala kosovare po vjen sonte, jam i gatshëm të bisedojë me liderët, nëse negociatorët arrijnë te një zgjidhje praktike te çështja e targave dhe atë para 21 nëntorit, që është afati i fundit. Nuk mund të arrijmë këtë datë, pasi do të jemi në situatë të rrezikshme. E dini se tërheqja e serbëve në veri nga Policia, gjyqësori, ka krijuar një vakum. Në këtë vakum më e keqja mund të ndodh. Mesazhi nga Këshilli është i qartë, dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet, na duhet progres i qartë. Kemi prezantuar një propozim. Falënderojmë Gjermaninë e Francën që kanë përkrahur këtë propozim. Serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucione të Kosovës, autoritetet e Kosovës të tregojnë fleksibilitet për targat, e të punojnë në implementimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe pa vonesa”, ka thënë Borrell.

Ai ka thënë se Kosova e Serbia janë në udhëkryq.

“Duhet të vendosin nëse duan të shkojnë në të kaluarën, apo drejt BE-së” tha Borrell.

Ai ka thënë se BE-ja është e shqetësuar me situatën në Ballkanin Perëndimor dhe ndikimi i luftës së Rusisë në Ukrainë që ka pasur në këtë rajon. Ai ka thënë se Ballkani Perëndimor e ka vendin në BE.

 

Të ngjashme