Lajme
Borrell: Duhet ta ndërtojmë një shtet palestinez, s’do të lejohet pushtimi i Gazës
Demokracia
17:45 | 13 Nëntor 2023

Share:

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë se zgjidhja e konfliktit në Lindje të Mesme është ndërtimi i një shteti palestinez.

Ai ka thënë se e sheh këtë zgjidhje të dy shteteve, Izrael e Palestinë, si të vetmen.

“Kriza dramatike të cilën po e jetojmë, e kosto e lartë në jetë izraelite e palestineze, tregon për një dështim politik e moral të komunitetit ndërkombëtar. Kemi dështuar të gjejmë një zgjidhje për situatën. Duhet të jetë ky rast që njerëzit të kuptojnë se duhet bërë zgjidhje dhe duhet të jetë ajo e dy shteteve në të ardhmen. Nuk ka të bëjë me rikonstruktimin e Gazës. Kemi bërë disa herë këtë. Ne duhet të ndërtojmë një shtet për palestinezët”, ka thënë Borrell në konferencë për media pas takimit me ministrat e jashtëm të BE-së.

Ai ka thënë se BE-ja duhet të përfshihet më tepër në këtë çështje dhe se do të udhëtojë në rajon ditëve në vijim.

Borrell ka thënë se u ka propozuar ministrave një kornizë për një zgjidhje paqësore.

Ai ka thënë se nuk do të lejohet zhvendosja me forcë e palestinezëve nga Gaza, nuk do të lejohet reduktimi i territorit të Gazas apo riokupimi i Gazës dhe nuk s’duhet të lejohet kthimi i Hamasit në Gaza.

Ai ka thënë se propozon të ketë një Autoritet palestinez të fuqishëm që do të qeveriste. Ka thënë se duhet të ketë përkrahje të madhe ky autoritet. Ai ka thënë se nuk mund të ketë zgjidhje pa përkushtim më të madh të shteteve arabe.

“S’mund të paguajmë vetëm për rindërtim fizik. Duhet të ketë kontribut politik të madh për ndërtimin e shtetit palestinez”, ka thënë Borrell, që ka pranuar se BE-ja nuk është angazhuar shumë në këtë proces dhe se zgjidhjen ia kishte lënë SHBA-së, porse do të përfshihet më tepër tash.

Të ngjashme